Ndërlidhjet

Mbyllet fushata zgjedhore – partitë premtojnë një Maqedoni ndryshe


Partitë politike në Maqedoni të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën më 11 dhjetor, përmbyllin të premten fushatën zgjedhore.

Partitë politike shqiptare, para elektoratit kanë premtuar integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, ridefinimin si dhe federalizmin e Maqedonisë, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në nivel të barabartë me gjuhën maqedonase, zhvillimin ekonomik në formë të barabartë në tërë territorin e Maqedonisë etj.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, i ka ftuar shqiptarët të mos e shpërndajnë votën në më shumë parti politike, duke theksuar se partia që përfaqëson, është subjekt i dalë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe kjo sipas tij e bën që më së miri të artikulojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Këtë agjendë kombëtare e mbrojnë vetëm bijtë e devotshëm të dëshmuar të cilët dëshmuan se dinë të ndërtojnë historinë më të re të kombit shqiptar në trojet autoktone këtu në Maqedoni në 2001-shin”, tha Ahmeti.

Ndërkaq Kryetari I Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, para elektoratit shqiptar në Tetovë ka theksuar se fitorja e partisë së tij do të vijë pikërisht nga Tetova që më pas të angazhohet për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

“Politika jonë ofron mirëqenie, dinjitet dhe krenari. Politika jonë ofron inkuadrimin e Maqedonisë në NATO dhe çeljen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE brenda gjashtë muajve”, tha Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes "BESA", Billall Kasami, i cili kryeson koalicionin “Rilindje me Besë”, para elektoratit ka shpalosur angazhimin e partisë që përfaqëson për të ridefinuar Maqedoninë.

“Kemi shansin që më 11 dhjetor të vulosim të ardhmen tonë. Të tregojmë se suksesi ynë nuk është i rastësishëm duke treguar se shqiptarët e Maqedonisë kanë vendosur të jenë në anën e njerëzve të ndershëm. Më 11 dhjetor, vota për Besën do të thotë arsim dhe shëndetësi cilësore, një ekonomi që do të thotë mirëqenie për shqiptarët, të ardhme për të rinjtë në këtë shtet”, tha Kasami.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, Ziadin Sela, i cili kryeson koalicionin “Aleanca për shqiptarët”, para elektoratit shqiptar në mitingun përmbyllës në Shkup, ka shprehur bindjen se më 11 dhjetor shqiptarët do të votojnë për të dënuar partinë shqiptare në pushtet BDI, që sipas tij shqiptarëve u ka sjellë vetëm dhunë dhe vuajtje.

“Më 11 dhjetor shqiptarët e Maqedonisë do të votojnë që asnjëherë më kriminelët të mos udhëheqin institucionet, asnjëherë më të mos përfaqësohen nga ata që betohen deri në vdekje tek hasmi, asnjëherë më nënat mos kujtojnë me mallë fëmijët e tyre të larguar nga vendi. Shqiptarët nuk do të përçajnë votën, të jeni të sigurt. Shqiptarët më 11 dhjetor do ta bëjnë bashkë votën, do ta bëjnë bashkë votën duke votuar shqiptarët dhe Aleancën për shqiptarët”, tha Sela.

Në kampusin politik maqedonas, beteja zhvillohet mes VMRO DPMNE-së të drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, një pjesë e strukturave të larta të së cilës parti hetohen nga Prokuroria Speciale Publike, dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë drejtuar nga Zoran Zaev, i cili nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në prill të 2014 duke çuar Maqedoninë në një krizë të thellë politike. Kriza u thellua veçanërisht pas publikimit të ashtuquajturave “bomba” që përmbanin biseda të përgjuara.

XS
SM
MD
LG