Ndërlidhjet

Analistët: Partia e Gruevskit presion Komisionit Shtetëror Zgjedhor


Sesioni publik i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Maqedoni, 11 dhjetor 2016

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë 4 nga 8 ankesat e parashtruara nga Lëvizja Besa për parregullsi në disa vendvotime në njësinë zgjedhore 2, rajonin e Haraçinës dhe atë Likovës,si dhe në njësinë zgjedhore 6, që përfshin disa vendvotime në rajonin e Tetovës.

Komisioni do të shqyrtojë gjatë ditës edhe ankesat e parashtruara nga partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, që kanë të bëjnë me parregullsitë në njësinë zgjedhore numër 6, ku kjo parti pretendon se në formë të paligjshme i është marrë të paktën një deputet.

Gjatë ditës së sotme nuk ka pasur protesta para KSHZ, ashtu siç kishte gjatë shpalljes së rezultateve të para preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.

Megjithatë, zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Aleksandar Kiracovski, tha se nga shumë institucione të vendit kanë marrë informata se ndaj të punësuarve po kryhet trysni nga ana e udhëheqësve që të dalin përpara Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe të protestojnë me qëllim që t’i bëjnë presion në punë dhe marrjen e vendimeve.

Njohësit e çështjeve politike thonë se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është nën presion të ashpër nga ana e partive në pushtet, veçanërisht nga VMRO DPMNE, e drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski.

“Bëhet fjalë për shkelje drastike të institucioneve, veçanërisht ndaj Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga ana e VMRO DPMNE-së, e cila nuk lejon që në mënyrë institucionale dhe ligjore të konstatohet realiteti që ka të bëjë me procesin zgjedhor. Nga dimensioni i VMRO DPMNE-së kërcënohet dhe me sigurinë e shtetit nëse vjen në ndryshimin e rezultatit gjatë procedurës së animimit, përkatësisht ankesave për parregullsi zgjedhore“, vlerëson për Radion Evopa e Lirë, Mersel Billalli, njohës i çështjeve politike.

Ndërkaq Lidija Hristova, politologe, konsideron se rezultati i ngushtë zgjedhor mes bllokut politik maqedonas, përkatësisht VMRO DPMNE, duke siguruar 51 deputetë dhe LSDM me 49, e cila me parashtrimin e ankesave për parregullsi zgjedhore thotë se i janë marrë dy deputetë, bën që çdo tabor të komentojë rezultatin zgjedhor në formën që i konvenon, duke e quajtur secili veten fitimtar.

Hristova thotë një situatë e këtillë është si rrjedhojë e asaj se në Maqedoni është instaluar logjika e mungesës së përgjegjësisë morale dhe politike.

“Situata është mjaft konfuze dhe shumë e paqartë do të thosha, sa i përket rezultatit të zgjedhjeve. Duhet të priten rezultatet pas ankesave në KSHZ dhe pastaj Gjykatën administrative, edhe pse edhe pas kësaj kam bindjen se paqartësia do të jetë edhe më e madhe sa i përket asaj se kush doli fitues në këto zgjedhje”, Lidija Hristova.

Njohësit e çështjeve politike thonë veprimet e pamatura të partive politike mund ta çojnë vendi në një kizë të thellë, madje duke kërcënuar edhe stabiliteti e vendit. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG