Ndërlidhjet

Protestuesit maqedonas përpara KSHZ me brohoritje anti-shqiptare


Tensione në Shkup pas përsëritjes së votimeve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:10 0:00

Tensione në Shkup pas përsëritjes së votimeve

Qindra mbështetës të partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE-së të drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, po protestojnë përpara Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Komisioni po shqyrton ankesat e parashtruara nga partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve dhe veçanërisht për procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor.

“Planifikojmë të qëndrojmë këtu derisa anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të mos i verifikojnë rezultatet e fitores së VMRO DPMNE-së me dy deputetë në epërsi kundrejt LSDM-së”, është shprehur një nga protestuesit e sotëm para KSHZ-së.

Ndryshe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka punuar mbrëmë deri në orët hershme të mëngjesit me protestuesit - përkrahës të VMRO DPMNE - që në vazhdimësi kanë brohoritur thirrje kërcënuese dhe fyese ndaj shqiptarëve si: “shqiptarë të mallkuar!”, për shkak se opozita maqedonase ka siguruar një numër të konsiderueshëm të votave nga elektorati shqiptarë.

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se pas gjuhës së shprehur të urrejtjes nga simpatizantët e partisë maqedonase VMRO DPMNE, kjo parti duhet të kërkojë falje publike, ndërkohë që organet e gjyqësisë duhet të nxjerrin përpara drejtësisë ata që nxisin gjuhë të urrejtjes.

“Çdo parti politike shqiptare para se të fillojë bisedimet për çfarëdo lloj koalicioni të përbërjes qeveritare duhet të kërkojë nga VMRO DPMNE të kërkojë falje sepse gjatë tërë kohës ka bërë fushatë bazuar në albanofobi, gënjeshtra për shqiptarët dhe të gjitha këto janë bërë zyrtarisht".

"Ky është minimumi që duhet të bëjë VMRO DPMNE, është të detyrohet të kërkoj falje. Gjuha e shprehur e urrejtjes në Maqedoni paraqet vepër penale dhe organet e drejtësisë duhet sa më parë të veprojnë në këtë drejtim”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Ramadan Ramadani, aktivist për të drejtat e njeriut, drejtues i organizatës joqeveritare NISMA.

Masës së tubuar gjatë natës së kaluar para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i janë drejtuar edhe zyrtarë të lartë të VMRO DPMNE-së të cilët janë kërcënuar me zemërimin e popullit nëse anëtarët e KSHZ-së siç janë shprehur “nuk e respektojnë fitoren e VMRO DPMNE-së”.

“Nuk do të lejojmë që në tavolinë të gjelbër dikush t`ia vjedh fitoren VMRO DPMNE-së”, ka theksuar Ilia Dimoski zyrtar i lartë i VMRO DPMNE-së.

Temellko Ristevski, profesor universitar, konsideron se është parë qartë se protestat para KSHZ-së në formë të drejtpërdrejtë janë të drejtuara nga partia e Nikola Gruevskit, por ky veprim jo vetëm që krijon presion ndaj KSHZ-së, por do të dëmtojë në masë të madhe vetë partinë, tha ai.

“Vlerësoj kështu sepse nëse i pamundësohet KSHZ-së që të marrë vendime në formë të pavarur dhe nëse konsiderohet se anëtarët e KSHZ-së kanë qenë të detyruar të marrin vendim që t’i hedhin poshtë të gjitha ankesat e parashtruara, atëherë Gjykata Administrative në bazë të kësaj të shfuqizojë të gjitha vendimet e KSHZ-së”, vlerëson Ristevski.

Ndërkaq, dy partitë Lëvizja Besa dhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, parti këto që paraqitën ankesa në KSHZ, kanë bërë të ditur se ankesat në afatin e paraparë ligjor do t`i parashtrojnë edhe në Gjykatën Administrative.

Siç thonë ata, ka patur “parregullsi gjatë ditës së votimit veçanërisht gjatë procesit të numërimit të votave dhe këtyre dy partive u janë hequr pa të drejtë së paku nga dy deputetë”. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG