Ndërlidhjet

Rezultati zgjedhor sjell qeveri jostabile


Gjykata Administrative e Maqedonisë brenda 48 orësh duhet të marrë vendim nëse i pranon ankesat e parashtruara nga opozita maqedonase për parregullsi zgjedhore, duke qartësuar nëse do të ketë rivotime.

Komisioni Evropian thotë se pret që sa më shpejtë të mblidhet përbërja e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare për të formuar qeverinë e ardhshme të Maqedonisë e cila do të duhet të angazhohet në reformat në drejtësi në përputhje me marrëveshjet e arritura paraprakisht mes partive politike.

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, pasi është takuar me ambasadorin amerikan në Shkup Jess Baily, përmes një komunikate me shkrim ka bërë të ditur se nga diplomati amerikan ka kërkuar të respektohet vullneti i qytetarëve të cilët votuan për ndryshime.

“Shumica e qytetarëve në Maqedoni, kanë zgjedhur ndryshime në zgjedhjet parlamentare. Shumica e vullnetit qytetar patjetër duhet të respektohet. Republika e Maqedonisë do të fitojë Qeverinë e cila do të punojë në interes të qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në kumtesën e kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev.

Në pritje të vendimit të Gjykatës Administrative njohësit e çështjeve politike thonë se rezultati i ngushtë mes partive kryesore maqedonase VMRO DPMNE-së me 51 deputetë dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë me 49 deputetë të fituar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, e bën shumë të vështirë krijimin e një qeverie stabile.

“Formimi i një qeverie qoftë nga VMRO DPMNE ose nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë pavarësisht se nga cila parti do të drejtohej kuptohet duke marrë dy ose tre parti shqiptare do të ishte shumë e brishtë për shkak të numrit të ngushtë të votave që formojnë shumicën parlamentare".

"Jo vetëm se në atë rast do të kemi një qeveri të brishtë por aq më pak do të kemi një qeveri cila duhet të marrë vendime të guximshme për shumë sfida që e presin Maqedoninë qoftë në realizmin e reformave rrënjësore në sistemin e drejtësisë si dhe zhbllokimin e procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Nikolla Dujovski analist politik.

Por, Xhelal Neziri, drejtues i Qendrës për gazetari Hulumtuese SCOOP, vlerëson se vendi po hyn në një krizë edhe më tëthellë.

Kjo, siç thotë, veçanërisht pas qëndrimit të shprehur nga ana e kryetarit të VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski se nuk do të njeh rezultatin e dalë nga rivotimi nëse këtë e mundëson Gjykata Administrative.

Neziri në këtë drejtim nuk përjashton mundësinë që Gruevski të mos certifikojë mandatet për deputetë të partisë së tij dhe të bojkotojë punën e Kuvendit.

“VMRO DPMNE dhe Gruevski dëshiron të dërgojë një sinjal se çdo qeveri që do të përbëhej pa VMRO DMNE-në do të ishte një qeveri jo stabile pasi me mos njohjen e institucioneve kjo parti dëshiron që aktivitetin e saj kryesor ta zhvendos në rrugë pra konflikte që do të shkaktonin ato protesta".

Mendoj se zgjedhjet në vend se të paraqisninzgjidhje tëkrizës ata po shëndërohen në një derë për futje të një faze të re të krizës në të cilën për një kohë të gjatë ndodhet Maqedonia” thotë Neziri.

Për të gjithë njohësit e çështjeve politike si opsione më të realizueshme mbetet varianti I formimit të një qeverie të zgjeruar ku do të përfshiheshin të gjitha subjektet politike me një marrëveshje paraprakisht të arritur rreth obligimeve që duhet të realizojë ajo përbërje qeveritare.

Varianti i dytë shihet mundësia e krijimit të një qeverie në nivel ekspertësh e cila do të ketë për detyrë ta përgatis vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokalet që pritet të realizohen në pranverë të vitit të ardhshëm. (REL)

XS
SM
MD
LG