Ndërlidhjet

Gjykata Administrative vendos për mundësinë e rivotimeve


Foto nga zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni.
Foto nga zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se nga Gjykata Administrative varet se a do të ketë rivotim në ato qendra votuese, për të cilat opozita maqedonase Lidhja Social-Demokrate dhe Lëvizja Besa, parashtruan ankesa në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për parregullsi gjatë procesit të votimeve të 11 dhjetorit.

Pas vendimit në mbledhjen e mbrëmshme të KSHZ-së, e cila hodhi poshtë të gjitha ankesat e LSDM-së për parregullsi zgjedhore, kjo e fundit, përmes një kumtese me shkrim ka theksuar se Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), ka dëshmuar se nuk është në nivel të detyrës serioze, që e ka në lidhje me mbrojtjen e të gjitha aspekteve nga procesi zgjedhor.

“Institucionet e shtetit duhet të punojnë në shërbim të qytetarëve dhe ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Edhe krahas gjithë asaj që po ndodh, disa gjëra janë të qarta si kristali: Qytetarët zgjodhën jetë dhe ato ndryshime tashmë po ndodhin, nuk ka më vende në politikën për personalitete si Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE shkon në opozitë. Hapen perspektivat për Republikën unike të Maqedonisë dhe të gjithë qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën për media nga partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social-Demokrate e drejtuar nga Zoran Zaev.

Nga kjo parti informojnë se brenda ditës do të parashtrojnë ankesa për parregullsi zgjedhore në Gjykatën Administrative pasi të kenë definuar me ekspertët juridik të gjitha shkeljet që i ka bërë KSHZ-ja gjatë shqyrtimit të ankesave të parashtruara nga kjo parti.

Përderisa nga Lëvizja Besa thonë se nuk do të parashtrojnë ankesa në Gjykatën Administrative, sepse siç shprehen, nuk besojnë në gjykatat e Maqedonisë.

“Vendimet e asaj gjykate, do të jenë politike dhe ato vendime ne të gjithë i pamë se cilat janë gjatë këtyre ditëve në KSHZ. Ata na i vodhën dy deputetë në mënyrë klasike para syve të botës dhe tani duan ta legjitimojnë këtë edhe përmes gjykatave. Pa ardhur drejtësia, ky vend nuk ka të ardhme”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Blerim Sejdiu, nga Lëvizja Besa.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike thonë se Gruevski të shtunën tregoi qartë se nuk e ka ndërmend të heqë dorë që mandatar i qeverisë së ardhshme të jetë ai.

Pero Dimshoski, profesor universitar, duke komentuar gjuhën e ashpër të shprehur nga Gruevski ndaj diplomatëve të huaj, përkatësisht se nuk do të lejojë kurrfarë ndërmjetësimi për formimin e qeverisë së re, thotë se kjo deklaratë vjen pasi Gruevski ka marrë sinjale, siç thotë, “pas kuintave” nga partitë shqiptare për mbështetjen e qeverisë së tij nëse i jepet mandati për ta formuar.

“Nuk kemi të bëjmë me ndonjë retorikë të re nga ana e VMRO DPMNE-së. Edhe më herët Gruevski është shërbyer me retorikë nacionaliste, anti-shqiptare, megjithatë gjithmonë ka pasur parti politike, të cilat janë shprehur se duan të jenë pjesë e një Qeverie ku merr pjesë VMRO-DPMNE. Edhe kësaj radhe nuk do të befasohesha që ndonjëra ose madje edhe dy nga partitë shqiptare të pranojnë ofertën për të bërë koalicion me VMRO DPMNE, kuptohet nëse nuk pëson ndryshime rezultati zgjedhor”, thekson Dimshoski.

Ai nënvizon se ky variant aspak nuk paraqet zgjidhje të kizës për shkak se ajo qeveri do të ishte shumë e brishtë.

Daljen nga kriza, Dimshoski e sheh përmes formimit të një qeverie në nivel ekspertësh me mandat të plotë që parësor do të kishte realizmin e reformave që kërkohen nga Pribe, orientimin e vendit kah integrimet euroatlantike reformat në media, si dhe vazhdimin pa pengesa të Prokurorisë Speciale Publike.

Por, Sefer Tahiri, ligjërues i Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se gjuha e ashpër e Nikolla Gruevskit para KSHZ-së, është shprehje revolte ndaj rezultatit të përgjithshëm zgjedhor, aq më shumë kur shqiptarët tani nuk e parapëlqejnë partinë e tij për të bërë koalicion për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

“Tani partia e Nikolla Gruevskit nuk e ka numrin e mjaftueshëm të votave për të formuar vetë qeverinë, ndërkohë që dihet gatishmëria e partive politike shqiptare se nuk janë për koalicion me VMRO-DPMNE, Ndërsa, vlerësimet se ambasadorët e huaj nuk duhet të përzihen në zhvillimet në vend, ishin deklarata të pamatura anti-diplomatike, do të kisha thënë edhe anti-integruese kur dihet se kontributi i ambasadorëve të vendeve të huaja veçanërisht atij të SHBA-së dhe BE-së, ka qenë në drejtim të tejkalimit të krizës politike dhe vendosjes së normalitetit politik në Maqedoni”, thekson Tahiri.

Sipas tij një qeveri me VMRO DPMNE dhe Nikolla Greuevskin, si drejtues i kësaj partie, do të thoshte izolim i plotë i Maqedonisë nga faktori ndërkombëtar.

Njohësit e çështjeve politike janë të prerë se pa ndërmjetësimin edhe më të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar, kriza në Maqedoni nuk mund të kapërcehet pasi dallimet veçanërisht mes kampit politik maqedonas, janë shumë të mëdha sa i përket çështjeve me interes krucial për shtetin.(REL)

XS
SM
MD
LG