Ndërlidhjet

Përse dështuan sondazhet e opinionit në vitin 2016?


Për industrinë e sondazheve, 2016-ta ka qenë vit i parashikimeve të gabuara, të cilat kanë minuar besueshmërinë e hulumtimit të opinionit publik.

Për rrjedhojë, shoqatat profesioniste për anketues në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të hetojnë se përse ka pasur aq shumë parashikime të pasakta për rezultatet e zgjedhjeve më 2016.

Shoqata Amerikane për Hulumtimin e Opinionit është duke analizuar se përse gati çdo sondazh në SHBA ka parashikuar gabimisht fitoren e kandidates demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet presidenciale dhe ka nënvlerësuar mbështetjen për presidentin e zgjedhur, Donald Trump.

Këshilli Britanik i Sondazheve, në anën tjetër, është duke hetuar se përse shumë anëtarë të tij kanë dështuar të parashikojnë se shumica e votuesve në referendumin e 23 qershorit do të votojnë për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Shoqata për Marrëdhënie Publike dhe Komunikime e Britanisë ka nisur po ashtu hetimet e saj për, siç ka thënë, humbjen e besimit të publikut në parashikimet politike.

Edhe pse rezultatet e këtyre hetimeve nuk priten deri në maj të vitit 2017, anketuesit tashmë i kanë identifikuar problemet e mundshme.

Gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, Trump ka kritikuar vazhdimisht mediat, duke i cilësuar si të njëanshme, dhe ka hedhur poshtë shumicën e sondazheve, duke i quajtur “të pista”.

Qendra Kërkimore Pew, me seli në Uashington, ka thënë se mosbesimi i mbështetësve të Trumpit në media dhe sondazhe të financuara nga mediat, mund të ketë shkaktuar problemin.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se votuesit e bardhë, më pak të arsimuar, kanë më pak gjasa t’iu përgjigjen pyetjeve të anketuesve në telefon, krahasuar me të diplomuarit në universitete.

Dhe, në vitin 2016, votues të bardhë, më pak të arsimuar, kanë mbështetur Trumpin me të madhe.

Hulumtimet po ashtu sugjerojnë se ata që kanë votuar rrallë ose fare në të kaluarën, u përgjigjen më pak pyetjeve të anketuesve.

Claudia Deane, nënpresidente në Qendrën Kërkimore Pew, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se fushata e Trumpit duket se ka tërhequr mbështetje edhe nga njerëzit që nuk kanë votuar në vitin 2012.

“Frustrimi dhe ndenjat anti-institucionale, që kanë përcjellë fushatën e Trumpit, mund të kenë po ashtu lidhje me mungesën e vullnetit për t’iu përgjigjur sondazheve”, ka thënë Deane.

Një javë para zgjedhjeve në SHBA, kur shumica e sondazheve kanë parashikuar fitoren e Clintonit, fushata republikane ka thënë se një numër i konsiderueshëm i “votuesve sekretë të Trumpit” nuk kanë pranuar tek anketuesit se e mbështesin Trumpin.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Richard Nixon, ka popullarizuar një term për të përshkruar një koncept të ngjashëm në vitin 1969. Ai ka përdorur frazën “shumica e madhe e heshtur” për të përshkruar votuesit amerikanë që e kanë mbështetur atë, por nuk e kanë thënë publikisht.

Sipas Claudia Dean, nga Instituti Pew, “hipoteza e votuesve të turpëruar të Trumpit” është “çështje e madhe kombëtare” që anketuesit amerikanë po bëjnë përpjekje ta trajtojnë.

Por, në Britani, presidenti i Këshillit Britanik të Sondazheve, John Curtice, ka thënë se nuk ka prova të qëndrueshme se “votuesit e turpëruar” kanë ndikuar sondazhet e opinionit para referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja.

Curtice po ashtu ka thënë se “nuk ka prova substanciale” se votuesit konservatorë, globalisht, refuzojnë të pranojnë simpatitë e tyre politike, pasi nuk duan të duken “të padëshirueshëm në shoqëri”.

Anketat e kryera jashtë qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve janë zakonisht më të sakta se sondazhet që bëhen para votomeve. Kjo për faktin se anketuesit pyesin njerëz që kanë votuar.

Sondazhi i USC/Los Angeles Times ka qenë sondazhi i vetëm i madh në SHBA që ka parashikuar saktë fitoren e Trumpit.

Ai është udhëhequr nga Arie Kapteyn, drejtor i Qendrës së Sondazheve Dornsife, në kuadër të Universitetit të Kalifornisë Jugore. Kapteyn i ka thënë gazetës Los Angeles Times se një metodë e pazakonshme e ka ndihmuar ekipin e tij të vlerësojë “votuesit e mundshëm”.

Në vend se t’i pyesin qytetarët se për kë do të votojnë, anketuesit e Kapteyn kanë kërkuar nga ta të vlerësojnë, nga 0 deri në 100, probabilitetin e tyre të votimit për secilin kandidat.

Por, sipas Curtice, nga Këshilli Britanik i Sondazheve, sfidë e vërtetë për anketuesit është se njerëzit tani janë më pak të gatshëm për t’iu përgjigjur anketave në telefon. Sipas tij, edhe anketat në internet mbështeten te njerëz që janë të gatshëm të regjistrohen. Curtice ka thënë se të dy skenarët e bëjnë të vështirë të sigurohen rezultate që përfaqësojnë vërtet popullin që voton. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG