Ndërlidhjet

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve ka verifikuar mandatet e përbërjes së re të Parlamentit të Maqedonisë, i nënti me radhë nga pavarësia e shtetit.

Në seancën konstituive nuk kanë marrë pjesë vetëm deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi dhe Bardhyl Dauti.

Deputeti i Lëvizjes Besa, Zekiria Ibrahimi, ka kërkuar që të mos verifikohet mandati i i deputetit të VMRO DPMNE-së, Johan Tarcullovski i cili ishte i gjykuar nga Tribunali i Hagës për kime lufte.

“Jam shumë i brengosur që në këtë kuvend të popullit po bëhet deputet edhe dikush i cili nga Gjykata e Hagës ishte i gjykuar për krime kundër civilëve shqiptarë në vitin 2001. Më vjen shumë keq edhe pse është shumë e rastësishme që ata të vrarit ishin bashkëfshatar të mi të fshatit Luboten, por i bëj thirrje këtij Kuvendi që të mos e verifikojë mandatin e këtij deputeti”, tha Ibrahimi.

Por, menjëherë pas kësaj është kundërpërgjigjur deputeti i VMRO DPMNE-së Ilia Dimoski, duke thënë se për çështjen se kush do të jetë deputet, vendos populli dhe se fushata parazgjedhore ka përfunduar.

Ndryshe para fillimit të seancës konstituive deputeti i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Oliver Spasovski ka kërkuar ndërhyrje procedurale, duke theksuar se ish kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski nuk ka të drejtë të udhëheq me seancën e sotme plenare.

“Praktika e deritanishme ka qenë që me seancën të udhëheq deputeti më i vjetër, në rastin konkret Branko Manajllovski, që vjen nga radhët e BDI-së. Duke mos e respektuar këtë Veljanovski po e shkel praktikën e deritanishme në shtëpinë e demokracisë”, ka theksuar Spasovski.

Ai ka rikujtuar praktikat gjatë viteve 2011 dhe 2014, ku me seancën e parë ka udhëhequr deputeti më i vjetër.

Por pas kësaj, Veljanoski është arsyetuar se praktika është diçka tjetër dhe se rregullorja për punën e tjetërdhe se ai seancën e parë parlamentare, tha se e drejton në përputhje me rregulloren e punës së Parlamentit të Maqedonisë.

Pas konstituimit të Parlamentit të Maqedonisë presidenti i shtetit është i obliguar që në afat prej dhjetë ditësh nga konstituimi, t’ia delegoj mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.

Si rrjedhoje e rezultatit të ngushtë mes partive politike maqedonas e VMRO DPMNE-së me 51 mandate të fituara dhe LSDM-së me 49 mandate janë deputetët shqiptarë të cilët do të përcaktojnë se kush nga partitë maqedonase do të arrijë të formojë shumicën parlamentare.

Në funksion të harmonizimit të kërkesave të shqiptarëve kundrejt mandatarit të ri të qeverisë ishte dhe takimi i djeshëm në Tiranë i liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoni me ftesë të kryeministrit shqiptarë Edi Rama.

Një ditë më pas askush nga kryetarët e partive politike shqiptare nuk ka shpjeguar në detaje cilat pika do të përmblidhen si kërkesa konkrete në një dokument I cili pritet ti ofrohet palës maqedonase si kërkesa të shqiptarëve për të mbështetur qeverinë e ardhshme të Maqedonisë.

Lideri i Bashkimit Demokratik për integrim Ali Ahmeti në një takim me gazetarët tha se është diskutuar avancimi i përdorimit të gjuhës shqipes, barazia ekonomike, procesi i integrimit të vendit në strukturat euroatlantike vazhdimi mandati i Prokurorisë Speciale dhe zbardhja e disa prej rasteve të montuara politike duke shtuar se ky dokument do te behet i njohur për opinionin pasi të jetë përpiluar në tërësi. (REL)

Facebook Forum

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG