Ndërlidhjet

OJQ-të akuzojnë Gruevskin se po ‘kërkon armiq të brendshëm’


Drejtuesit e organizatave joqeveritare thonë se ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia që drejton ai VMRO DPMNE dëshiron ta shuaj aktivitetin e sektorit civil pasi Organizatat joqeveritare dëshmuan se kanë forcë për ta përballur atë me keqqeverisjen gjatë më shumë se një dekade, sic thonë, “pa mbajtur llogari se vendi në këtë mënyrë do të futet në një krizë edhe më të thellë”.

Këto reagime pasuan një intervistë të Nikolla Gruevskit për mediat e vendit ku ai i cilësoi OJQ-të në Maqedoni si “të korruptuara dhe se punojnë kundër interesave të Maqedonisë si shtet”.

“Soros në Maqedoni krijoi armatë moderne. Sot beteja nuk është me armë si para 100 viteve, por me OJQ, media dhe gazetarë të korruptuar dhe ndikim mbi mediat e fuqishme botërore dhe qeveritë e fuqishme të huaja, që politikat e tyre ndaj një shteti t’i hartojnë sipas qëllimeve të tij. Ky është realiteti dhe për fat të keq kështu vepron Soros dhe atëherë të bëjnë si të duan, të mundojnë, të gatuajnë si një brumë. Do të bëjnë kriminel, hajdut, tradhtar edhe idiot, mostër, gjithçka që do të vendosin si qëllim, atë do të të bëjnë”, ka thënë Gruevski.

Por Fani Karanfilova Panovska, drejtuese e Fondacionit Shoqëri e Hapur e cila mendohet se financohet nga miliarderi George Soros për Radion Evropa e Lirë thotë se Guevski përmes ideve konspirative synon të sulmojë veprimin e sektorit civil për të ngulfatur aktivitetet e OJQ të cilat kërkojnë përgjegjësi politike nga drejtuesit e institucioneve për keqqeverisje.

“Intervista për revistën elektronike “Republika” është e mbushur me shumë gënjeshtra, manipulime të shumta si dhe ide konspirative. Kjo paraqet dëshmi se lufta kundër sektorit civil nga ana e udhëheqësisë së VMRO DPMNE-së nuk ka të ndalur dhe se kjo luftë fiton gjithnjë e më shumë në intensitet ndaj të gjithë atyre të cilët nuk mendojnë njëjtë si ai”, thotë Panovska.

Ndërkaq Albert Musliu, drejtues i Qendrës për Zhvillimin e Demokracisë, konsideron se deklarata e ish kryeministrit Nikolla Gruevski më shumë ka të bëjë me një porosi drejtuar anëtarëve të partisë së tij se pse “ai personalisht nuk mund të drejtojë qeverinë e ardhshme të qeverisë duke fajësuar OJQ-të”.

“Kjo deklaratë e Gruevskit vjen në periudhën që pritet të zhvillohen negociata intensive për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Nëse ndodh që VMRO DPMNE e drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski të jetë jashtë qeverisë së ardhshme, ose ai personalisht të mbetet jashtë qeverisë së ardhshme do të duhet që ndokush ta bartë fajin".

"Kjo është mungesë vetë refleksioni. Maqedonia nuk e ka strukturën e disa shteteve lindore të cilat kanë mundësinë e imponimit të një totalitarizmi të plotë ku shteti do të mund të vendosë se cilat OJQ mund të funksionojnë e cilat jo sepse në Maqedoni ekziston ligj i qartë për funksionimin e OJQ-ve dhe vështirë se mund të ndryshohet rregullativa ligjore për shuarjen e tyre”, thekson Musliu.

Përderisa Bojan Mariqiq, drejtues i qendrës për Arsim Evropian, vlerëson se Nikolla Gruevski gjatë kohës që ishte në krye të qeverisë, por edhe tani si drejtues i VMRO DPMNE-së synon që të kontrollojë veprimet e sektorit civil që kohën e fundit arrin të frymojë pak a shumë më lirshëm.

“Pas ciklit të fundit zgjedhor, Nikolla Gruevski është në kërkim të një armiku të brendshëm dhe të jashtëm veçanërisht pasi kësaj radhe i duhet një fajtorë që do të bartë fajin për humbjen e partisë së tij në zgjedhje, përkatësisht VMRO DPMNE tani pse numëron 10 deputetë më pak se në zgjedhjet e fundit", thekson Bojan Mariqiq.

Ndryshe, në dhjetor, menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, inspektorët e drejtorisë së të ardhurave publike dhe të policisë financiare kanë ndërmarrë një aksion të zgjeruar të kontrollimit të më shumë organizatave joqeveritare lidhur me burimin e financimit e tyre. (REL)

XS
SM
MD
LG