Ndërlidhjet

Biden: Ka ardhur koha që Trump “të sillet me maturi”


Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden e ka kritikuar presidentin e zgjedhur, Donald Trump për mospajtimet me komunitetin e inteligjencës në SHBA.

Komentet e Biden janë bërë derisa Trump pritet sot të informohet nga inteligjenca amerikane rreth dyshimeve se Rusia qëndron prapa sulmeve kibernetike ndaj zgjedhjeve presidenciale amerikane, pretendime të cilat i sheh me dyshim presidenti i zgjedhur amerikan.

Gjatë intervistës dhënë emisionit “NewsHour” të PBS-së, Biden ka thënë se ka ardhur koha që Trump “të sillet me maturi” dhe ka shtuar se është “absolutisht e pa mend” për një president që të mos ketë besim apo të mos dëgjojë agjencitë e inteligjencës.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, gjatë një seance dëgjimore të mbajtur mbrëmë në Senat ka thënë se agjencitë amerikane janë të bindura se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit.

Komuniteti i inteligjencës amerikane publikisht e ka akuzuar qeverinë ruse se ka udhëhequr sulmet kibernetike ndaj procesit zgjedhor amerikan duke arritur në përfundimin se përpjekjet ruse kanë pasur qëllim ta ndihmojnë Trumpin në zgjedhje.

Qeveria e Rusisë dhe Trump i ka hedhur poshtë këto konkludime duke i quajtur si absurde.

XS
SM
MD
LG