Ndërlidhjet

“Kosova A” nuk mbyllet pa ndërtimin e termocentralit të ri


Termocentrali "Kosova A"

Shtyrja e ndërtimit të termocentralit të ri “ Kosova e Re”, projekt i nisur për afro një dekadë, vazhdon ta mbajë në funksion termocentralin “Kosova A”, që është cilësuar si ndotësi më i madh i mjedisit.

Termocentrali, për shkak të vjetërsisë dhe pamundësisë për t’ia ulur nivelin e ndotjes, ishte përfshirë në prioritetet e institucioneve për mbyllje në fund të këtij viti.

Ky ishte zotimi i Qeverisë së Kosovës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të zbatimit të standardeve të Bashkimit Evropian në emetimin e gazrave.

Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe. Blloku i parë, A-1, ka hyrë në fuqi në vitin 1962 kurse blloku A-5 në vitin 1975 . Si pasojë e vjetërsisë, dy blloqe nuk funksionojnë.

Por, pavarësisht kësaj, nga ky termocentral me energji elektrike varen 35 për qind e konsumatorëve.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, thotë përRadion Evropa e Lirë se autoritetet përgjegjëse janë vonuar në realizimin eprojektit“Kosova e Re”, që sipas tij, është dashur të ketë përfunduar tani.

“ ‘Kosova A’mbulon 35 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike. Me strategjinë e re dhe me qasjen e re që kemi në politikat energjetike, ‘Kosova A’ do të jetë në funksion deri sa të hyjnë njësitë e para gjeneruese nga termocentrali ‘Kosova e Re’. Në kuadër të kësaj, Qeveria e Kosovës do të marrë vendimin më meritor karshi situatës dhe politikës së përgjithshme afat gjate”, thotë Gjuka për Radion Evropa e Lirë.

Në Strategjinë e Energjisë në Republikën e Kosovës për vitet 2016- 2025, përmendet vazhdimi i punës së termocentralit “Kosova A” deri në hyrjen në punë të termocentralit “Kosova e Re”.

Institucionet kompetente në Prishtinë nuk kanë arritur të japin ndonjë përgjigje se kur mund të fillojë ndërtimi i termocentralit “ Kosova e Re”, megjithëse zyrtarë qeveritarë, patën thënë se deri në fund të vitit 2016 do të fillojë të zbatohet ky projekt energjetik.

Ofertuesi i përzgjedhur për ndërtimin e këtij termocentrali është kompania “Contour Global”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekspertë të mjedisit ndërkaq thonë se termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, janë shumë të vjetra dhe njëherësh ndotësit më të mëdhenj.

Agron Bektashi, nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), thotë se pikërisht termocentrali “ Kosova A” ndikon në ndotjen e mjedisit.

Posaçërisht termocentrali i parë ‘Kosova A’. Madje, sipas të gjitha normave ndërkombëtare, jetëgjatësia e një termocentrali është 40 vjet, kurse ky termocentral ka hyrë në decenien e pestë dhe pa dyshim se për shkak të teknologjisë se stërvjetruar, është koha që të ndalojë prodhimin”, konsideron Bektashi.

Por, drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, shprehet se që nga viti 2013, të gjithë shkaktarët e ndotjes në termocentralin “Kosova A’ janë eliminuar.

“Në vitin 2013 janë përmbyllur, apo janë eliminuar të gjithë shkaktarët kryesorë që kanë shkaktuar ndotje. Investimet vetëm nga të hyrat apo buxheti i KEK-ut, kanë mbërri shifrën 57 milionë euro dhe ato janë fokusuar në vendosjen e elektro-filtrave të rinj në blloqet 3, 4 dhe 5 të termocentralit ‘Kosova A’ “, deklaron Gjuka.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, disa herë kanë thënë se ky termocentral duhet të mbyllet, pavarësisht investimeve që janë bërë dhe mbyllja e tij, nuk mund të lidhet më ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG