Ndërlidhjet

Disa ligjvënës e bojkotojnë inaugurimin e Trumpit


Ligjvënësi demokrat John Lewis

Së paku tetë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se do ta bojkotojnë ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ndërsa disa prej tyre si arsye e kanë cituar dëshminë se rusët mund ta kenë ndihmuar Trumpin që të zgjedhet.

“Nuk e shoh këtë president të zgjedhur si president legjitim”, tha anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit, John Lewis, demokrat nga Gjeorgjia.

“Mendoj se rusët morën pjesë për ta ndihmuar këtë njeri”, i tha rrjetit NBC zoti Lewis, që është anëtar i Partisë Demokratike, duke iu refereuar raporteve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ku theksohet se rusët kishin ndërhyrë në zgjedhje nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe mënyrave të tjera, me qëllim që të ndihmohej zoti Trump.

Lewis tha se rusët “ndihmuan në shkatërrimin e kandidaturës së Hillary Clintonit”.

Mospraninë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, më 20 janar, e kanë paralajmëruar edhe ligjëvënësit e tjerë demokratë, Raul Grijalva, Nydia Velazquez, Barbara Lee, Earl Blumenauer, Katherine Clark, Jared Huffman dhe Luis Gutierrez.

Shumica prej tyre si arsye e kanë cituar atë që ata e vlerësuan si “mosrespekt” për femra, minoritete dhe persona të jashtëm.

XS
SM
MD
LG