Ndërlidhjet

Përfundoi protesta e serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës


Në pjesën veriore të Mitrovicës sot është mbajtur një demonstratë e serbëve, në të cilën është protestuar kundër “përpjekjes së shtypjes dhe frikësimit të serbëve në pjesën veriore" të Kosovës. Raportohet se në këtë protestë kanë marrë pjesë mijëra vetë.

Kjo protestë, në të cilën pjesëmarrësit kanë bartur flamuj të Serbisë, u mbajt për ta kundërshtuar ndaljen e mbrëmshme të trenit nga autoritetet e Kosovës.

Treni, që ishte nisur dje më herët gjatë ditës nga Beogradi për në pjesën veriore të Kosovës, ishte i dekoruar me ngjyra të flamurit të Serbisë dhe në të shkruante “Kosova është serbe”.

Autoritetet e Kosovës mbrëmë urdhëruan ndaljen e trenit, pasi vlerësuan se ishte “provokim i radhës nga Serbia”.

Kryeministri Isa Mustafa, theksoi se në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, institucionet qendrore në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar kanë marrë vendim që të mos lejojnë hyrjen e trenit të nisur nga Serbia për në Kosovë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë u tha gazetarëve se e ka urdhëruar ndaljen e trenit në Rashkë, për “t’i ruajtur njerëzit” dhe për evitimin e konfliktit.

XS
SM
MD
LG