Ndërlidhjet

Nuk do të ketë ndryshime të qasjes së SHBA-së ndaj Maqedonisë


Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se në plan afatshkurtër nuk do të ketë ndonjë ndryshim sa i përket qasjes së politikave të SHBA-së ndaj Maqedonisë si shtet.

Denko Malevski ish ministër i Punëve të Jashtme, njëherësh dhe ish ambasador i Maqedonisë në OKB, thotë se nuk do të ketë ndonjë ndryshim sa i përket politikave amerikane ndaj Maqedonisë.

Malevski thotë se ndryshimet mund të ndjehen në rrafshin e politikave që SHBA do të kenë ndaj zhvillimeve në Evropë në një plan afatgjatë .

“Po në një plan afatshkurtër nuk do të ketë ndonjë ndryshim të dukshëm sa i përket qasjes së politikave amerikane ndaj Ballkanit në përgjithësi, por edhe Maqedonisë si shtet. Andaj të gjitha strukturat relevante duhet të vazhdojnë me përmbushjen e detyrimeve që ka marrë Maqedonia si shtet për demokratizimin e institucioneve nga qendrat vendimmarrëse”, vlerëson Denko Malevski ish diplomat.

Ndërkohë ish ambasadori i Maqedonisë në Moskë, Risto Nikovski, i cili për një kohë ka punuar dhe si këshilltar i presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov, gjithashtu thotë se është shumë vështirë që brenda një periudhe të shkurtë kohore të ndodhin ndryshime të mëdha sa i përket politikës amerikane ndaj Maqedonisë, megjithëse shton se ndryshimet do të ndodhin pasi presidenti amerikan Donald Trump të realizojë premtimin se SHBA-të do të heqin dorë nga ndikimi i tyre për rrëzimin e qeverive në vendet e huaja.

“Të shpresojmë se nga dita e nesërme, Uashingtoni do të ketë një politikë më fleksibile, thënë kushtimisht të mençur, pra me urtësi do të sillet kundrejt Moskës ngase në botë asnjë problem nuk mund të zgjidhet nëse SHBA dhe Federata Ruse janë në anë të kundërta të ndonjë barriere. Në një plan afatgjatë mund të ndodhin ndryshime sa i përket qasjes amerikane ndaj Ballkanit në përgjithësi, por edhe Maqedonisë, nëse Donald Trump arrin ta realizojë atë që e premtoi se Amerika nuk do të rrënojë qeveri në vendet e huaja”, vlerëson Risto Nikovski.

Ndërkaq, Alajdin Demiri, ish diplomat, konsideron se strukturat udhëheqëse aktuale në shtet, shpresojnë në mbijetesën e tyre në bazë të largimit të interesit amerikan nga Maqedonia dhe influencës së drejtpërdrejtë të SHBA-ve për demokratizimin e institucioneve të vendit.

Demiri thotë se qasja amerikane ndaj Maqedonisë do të ndjehet nëse bëhet ndrrimi i ambasadorit amerikan në Shkup.

“Nuk besoj se do të ketë një reflektim të drejtpërdrejt ardhja e presidentit Donald Trump në krye të SHBA-së, por në mënyrë spontane besoj se do të fillojë të zvogëlohet interesi amerikan kundrejt zhvillimeve në Maqedoni. Përderisa tek qytetarët e Maqedonisë priten dy lloje reagimesh. Tek shqiptarët do të shfaqet dëshpërimi përderisa tek maqedonasit do të shfaqet një lloj entuziazmi sepse edhe politikat e VMRO DPMNE-së e cila për dhjetë vjet është në pushtet, imponon logjikën se ja tani shpëtuam nga monitorimi i huaj”, vlerëson Alajdin Demiri ish diplomat.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare gjithashtu theksojnë se Maqedonia ka marrë ndihmë të vazhdueshme nga SHBA-të që nga pavarësia e saj, sa i përket stabilitetit dhe sigurisë së vendit si dhe ndërtimit të institucioneve demokratike të shtetit e cila ndihmë do të jetë shumë e rëndësishme edhe më tej për të ardhmen e vendit. (REL)

XS
SM
MD
LG