Ndërlidhjet

Mbi 110 milionë euro është shuma e fondit të 20 përqindëshit që deri më tani Agjencia Kosovare e Privatizimit, e ka shpërndarë për rreth 46 mijë ish-punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore.

Kjo shumë është grumbulluar nga privatizimi i rreth 1300 ndërmarrjeve shoqërore, që nga viti 2004, me një vlerë prej mbi 660 milionë eurosh.

Nga kjo shumë, sipas një udhëzimi të UNMIKU-ut, 20 për qind u takon punëtorëve pas shitjeve të ndërmarrjeve ku ata kanë punuar

Udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, sindikata këto ku AKP-ja i bart mjetet për shpërndarje, thonë se procesi është duke vazhduar, por vonesat eventuale ndodhin për shkak të disa ankesave të ish-punëtorëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Haxhi Arifi, kryetar i BSPK-së, thotë se aktualisht në sindikatë nuk ka ndonjë listë të punëtorëve, por ekzistojnë lista të identifikuara. Megjithatë, ai shprehet se një problem paraqitet te disa ndërmarrje, të cilat nuk i kanë përfunduar listat e përfituesve, pasi nuk kanë menaxhment dhe sindikatë.

“Në mungesë të menaxhmentit këto procedura tashmë i ka filluar BSPK-ja. Dhe, nga 14 lista të identifikuara, 5 i kemi përgatitur dhe do t’i dërgojmë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,në mënyrë që të fillohen procedurat për shpërndarjen e mjeteve të 20 përqindëshit. Pra, për këto ndërmarrje që nuk kanë menaxhment dhe as sindikatë”, thotë Arifi.

Mospërfundimin e procesit të shpërndarjes së fondit të 20 përqindëshit e quan skandal të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ali Shabanaj, ish-kryetar në BSPK. Sipas tij, veprimi i AKP-së për këtë proces, është i pajustifikueshëm.

“Kjo çështje i ka lënë shumë familje pa mjete, shumë njerëz [i ka lënë] të shëtiten rrugëve dhe kjo është pasojë e pariparueshme, pasi me këto mjete ndoshta kanë mundur të fillojnë ndonjë angazhim të tyre në aspektin ekonomik për të mbijetuar. Unë konsideroj se ky proces, jo që është i vonuar por, i stërvonuar, pasi po bëhen gati dy dekada qysh kur ka filluar privatizimi dhe ende nuk janë shpërndarë ato mjete. Kjo, sipas meje, është skandaloze”, thotë Shabanaj për Radion Evropa e Lirë.

Por, Haxhi Arifi, i cili njëherësh është edhe anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thotë se vonesat e shpërndarjes së fondit të 20 përqindëshit ndodhin vetëm për shkak të ankesave të punëtorëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

“Atje është problem, sepse ka ankesa, pasi është e drejtë e secilit punëtor, e që është instanca më e lartë. Dhe, nëse atje, vetëm një person ankohet për të drejtën e vet, ajo listë pastaj pushon aty derisa të shqyrtohet kërkesa e atij punëtori dhe aty ka neglizhencë pasi ka me mijëra lëndë të pashqyrtuara”, sqaron Arifi.

Pritjen për shpagimin e mjeteve materiale për të gjithë punëtorët e një ndërmarrjeje, për shqyrtimin e një kërkese, Ali Shabanaj e konsideron të padrejtë dhe politike.

"Problemin e ka shtruar në planin politik, pasi ka persona që mund të ankohen. Por, AKP-ja ka mundur që një pjesë të mjeteve të vogla që parashihen për ata njerëz t’i ndajë, kurse pjesën tjetër ta ndajë për personat tjerë. Pra, kjo pritje është e pajustifikueshme absolutisht”, thekson Shabanaj.

Sipas rregullores për këtë çështje, ankesa duhet të dorëzohet në Dhomën e Posaçme brenda 20 ditëve pas shpalljes përfundimtare në media nga Agjencia,të listës së të punësuarve me të drejta legjitime. Dhoma e Posaçme shqyrton çfarëdo ankese dhe merr vendim për këto ankesa brenda 40 ditëve pas dorëzimit të tyre.

Ndryshe, në fillim të këtij muaji, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpërndarë mbi 900 mijë euro për rreth 3000 punëtorë të 14 ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara.

Kurse, AKP-ja është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20 për qindëshit për punëtorë të kualifikuar edhe për ndërmarrje tjera.(REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG