Ndërlidhjet

Komisioni për matjen e territorit cilësohet profesional dhe jo politik


Kosovë - brezi kufitar me Malin e Zi
Kosovë - brezi kufitar me Malin e Zi

Komisioni shtetëror për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka mbajtur sot takimin e parë, në mënyrë që, siç tha, t'i jepet një përgjigje profesionale dhe shkencore pyetjes se a ka humbur territor shteti i Kosovës më marrëveshjen për demarkacionin e kufirit më Malin e Zi.

Në takim kanë marrë pjesë ekspertë të fushës dhe vëzhgues nga bashkësia ndërkombëtare, por të pranishëm nuk kanë qenë përfaqësues nga opozita.

Matja e territorit, është iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës, por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.

Më këtë rast kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se kriteret, metodologjinë dhe teknikat e matjes se territorit të Republikës se Kosovës, i ka në kompetencë komisioni.

Kurse raporti përfundimtar i komisionit, ka thënë Mustafa do të aprovohet në qeveri dhe më pas do të njoftohet Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës.

“Është mirë që të mos të krijohet ndonjë konfuzion dhe tësqarohen gjërat. Është mirë edhe për ata që kanë pasur mendime të ndryshme edhe për të gjithë qytetarët. Është fjala për një nevojë që ne të kemi një përgjigjeje të saktë dhe kjo përgjigje e saktë është e dobishme për të gjithë. Është e dobishme për Kuvendin e Kosovës pa ndarë pozitë –opozitë, është e nevojshme për qeverinë dhe institucionet e ndryshme” ka thënë Mustafa

Për veç nevojës se institucioneve vendore, kryeministri Mustafa ka thënë se matja e territorit është e rëndësishme edhe për bashkësinë ndërkombëtare , pasi siç ka thënë ai, duhet të dijë territorin e vendit të cilin e kanë njohur, pas shpalljes se pavarësisë.

Kryetari i Akademisë se Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami është emëruar kryesues i Komisionit shtetëror për matjen e territorit të Kosovës.

Ai ka thënë se “Komisioni do të qëndrojë larg ndikimeve dhe animeve politike, partiake dhe grupeve të interesit.

Mjerisht, sot vërehet një boshllëk, pasi thirrjes se kryeministrit nuk iu kanë përgjigjur pozitivisht disa subjekte, pikërisht ato subjekte dhe individë që kanë ngritur dyshime se Kosova po humb territor. Këtu është rasti të debatohet dhe të ballafaqohen të dhënat dhe argumentet pro apo kundër, midis profesionistëve pa i dhuruar askujt asnjë centimetër territor” është shprehur Islami

Islami ka shtuar se matja do të bëhet në mënyrë profesionale dhe për këtë duhet një konsensus i plotë i të gjitha forcave politike dhe institucioneve profesionale, shkencore dhe shoqërore të Kosovës.

“Puna jonë do të jetë e natyrës pragmatike – profesionale. Dhe neve dhe gjithë Kosovës i duhet rezultati.Çfarë do që të del ai (rezultati) në mënyrë që të qetësohen shpirtrat dhe ndërgjegjja dhe vendi të ecë përpara drejt një progresi ekonomik dhe shoqëror. Dhe të krijohet një stabilitet i brendshëm brenda kornizave demokratike por edhe një raport i mirë më fqinjët dhe më miqtë tanë ndërkombëtarë“

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, e nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve, sipas zyrtareve të Qeverisë do t’i hapte udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së dhe do të fuqizonte shtetësinë e Kosovës

Ratifikimi i Marrëveshjes është një prej dy kushteve të fundit nga Bashkimi Evropian, që Kosova duhet t’i plotësojë për të marrë liberalizimin e vizave. (REL)

XS
SM
MD
LG