Ndërlidhjet

Analistët: "Kapja e shtetit pengon luftën kundër korrupsionit"


Ilustrim
Ilustrim

Organizata Transparency International ka nxjerr në pah se Maqedonia ka shënuar rënie të madhe, për 24 vende, në luftën kundër korrupsionit, kryesisht për shkak të krizës politike në të cilën ndodhet vendi prej më shumë se dy vitesh.

“Lufta kundër korrupsionit në Maqedoni është në nivel shumë të ulët. Ballafaqohemi me situatë ku praktikisht liderët përgjegjës në vend nuk reagojnë, gjegjësisht nuk ndërmarrin masa për tejkalimin e situatës dhe për luftë e cila do të rezultojë me efekte pozitive“, ka theksuar Dona Dimov nga Transparecy International – Maqedoni.

Ky institucion thotë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë për shumë vite është duke zhvilluar politikë klientelizmi, e cila jo vetëm që nuk ka përfillë sugjerimet e faktorit ndërkombëtarë për të luftuar korrupsionin por, siç thotë, bartësit e institucioneve dhe “vetë shteti janë vënë në funksion të pengimit të luftës kundër korrupsionit”.

Përderisa, Arif Musa ish anëtar i komisionit anti-korrupsion, për Radion Evropa e Lirë, thotë se kapja einstitucioneve nga politika si dhe ndërtimi i mentalitetit autokrat në vend janë shkaqet kryesore se pse Maqedonia ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

“Problemi kryesisht qëndron në kapjen e institucioneve nga ana e politikës dhe njerëzit e inkriminuar që janë në krye të shtetit. Kjo besoj se është elementi bazë se pse Maqedonia ka shënuar rënie kaq drastike sa i përket luftës kundër korrupsionit nga vendi i 66 në vendin e 90-të. Që do të thotë se institucionet përkatëse dhe pushteti nuk luftojnë korrupsionin në asnjë mënyrë nuk marrin masa konkrete veçanërisht kur bëhet fjalë për dënimin e personave për të cilët ka dëshmi se janë të korruptuar, që do të thotë se kemi të bëjmë me kapjen e institucioneve nga njerëz të inkriminuar”, tha Arif Musa.

Përderisa Xhelal Nezi, që drejton institutin për gazetari hulumtuese SCOOP thotë se përqendrimi i pushtetit tek udhëheqja e një partie të caktuar e bën vendin që të ketë institucione jofunksionale me demokraci po ashtu jofunksionale me një sistem gjyqësor të kontrolluar.

Neziri ka nënvizuar edhe problemin e lirisë së shprehjes dhe presionin nga ana e shtetit ndaj sektorit civil si mekanizma shumë të rëndësishëm që ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit.

“Sektori civil dhe media janë ata që raportojnë mbi dukurinë e mosfunksionimit të institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit. Ngufatja, shtypja e tyre do të thotë pastrim i terrenit që korrupsioni të shtrihet në të gjitha poret e shoqërisë në Maqedoni".

"Përderisa në shtet funksionon një sistem i kontrollimit të institucioneve nga partia politike në pushtet ose më mirë thënë një grup i ngushtë në udhëheqësin e kësaj partie atëherë lufta kundër korrupsionit është diçka shumë irrelevante përderisa korrupsioni shndërrohet në një normë të funksionimit të asaj qeverie ose sistemit shtetëror. Nuk është për t`u habitur kjo rënie drastike që po shënon vendi sa i përket luftës kundër korrupsionit”, thekson Xhelal Neziri.

Në renditjen e vendeve të korruptuara, Maqedonia është në mesin e 9 shteteve në botë me rënien më të madhe dhe gjendet në pozitën e 90, bashkë me Mozambikun, Meksikën dhe Bjellorusinë. (REL)

XS
SM
MD
LG