Ndërlidhjet

Ivanov takon partitë politike për gjendjen në vend


Presidenti i Maqedonisë. Gjorge Ivanov
Presidenti i Maqedonisë. Gjorge Ivanov

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov të mërkurën do të fillojë konsultime të veçanta me përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare lidhur me gjendjen aktuale politike. Konsultimet me partitë parlamentare fillojnë pas takimit të presidentit me kryetarin e Gjykatës Kushtetutese, Nikolla Ivanovski dhe me euro ambasadorin, Samuel Zbogar, kanë bërë të ditur nga kabineti i Presidentit të Maqedonisë.

Takimin me kreun e kushtetueses Ivanov ka thënë se ka vepruar në kuadër të kompetencave dhe obligimeve të tij duke respektuar Kushtetutën e Maqedonisë.

Ivanov, siç thuhet, në njoftim edhe në rrethanat e reja do të veprojnë në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Maqedonisë.

Ivanov nis konsultimet pas dështimit të Gruevskit për ta bërë qeverinë

Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, ka nisur konsultimet me institucionet relevante, bazuar në një njoftim të kabinetit të tij, për të sqaruar hapat e mëtejmë pas dështimit të bisedimeve mes VMRO-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re.

Hollësitë se me kë do të bisedojë dhe çfarë hapa do të ndjek nuk jepen, ashtu sikur edhe partitë nuk japin informacione në pritje të veprimit të kreut të shtetit. Megjithatë mësohet se presidenti ka nisur bisedat me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, për të sqaruar gjithë çështjen.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se pas dështimit të Gruevskit, Presidenti mandatin për nisjen e bisedimeve me partitë për bërjen e qeveria duhet t'ia besojë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, bazuar në praktikat e deritanishme.

Por, kjo mund edhe të mos ndodhë nëse merren parasysh interpretimet e ndryshme që i bëhen kushtetutës në të cilën thuhet se: “Presidenti i jep mandatin liderit të asaj partie politike apo koalicioni, i cili paraprakisht siguron shumicën e nevojshme në Kuvend”.

Ky formulim nuk saktëson nëse mandati duhet të jepet Zaevit, pra lë hapësirë që ai sërish të taktizojë me ndonjë anëtar tjetër të VMRO-së, që sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, Osman Kadriu, do të ishte veprim jo i drejtë, pasi Ivanov sipas tij edhe në variantit e parë ka bërë shkelje pasi i ndau mandatit Gruevskit pa u siguruar paraprakisht se ai ka bërë shumicën e nevojshme.

“Mandati patjetër se duhet t’i kalojë Zaevit. Çdo opsion tjetër, ashtu siç e interpretojnë kushtetutën në favor të VMRO-së, është kundër-kushtetues. Kjo parti pati afatin kushtetues prej 20 ditëve dhe tani assesi nuk guxon që mandati t’i shkojë sërish të njëjtës parti. Nëse ndodhë kjo atëherë mundet që mandati t’i jepet kandidatit të tretë, të katërt e kështu me radhë dhe vetëm se të fitohet në kohë, të zvarritet procesi dhe të mos zgjidhet qeveria, e kjo nënkupton thellimin e krizës”, thotë profesori Osman Kadriu.

Edhe Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve juridike, thotë se presidenti Ivanov duhet të kërkojë zgjidhje tjera për formimin e qeverisë duke aluduar në dhënien e mandatit partisë së dytë, pra LSDM-së.

Vlerësoj se nuk janë shterur as mundësinë kushtetuese e as ligjore për të formuar qeverinë. Nëse këtë nuk ka arritur ta bëjë njëra parti, nuk do të thotë se nuk mundet dikush tjetër. Unë pres që në ditët në vijim të ketë edhe një përpjekje për të formuar shumicën e nevojshme parlamentare e cila do të votonte qeverinë e re”, thotë Dujoski sipas të cilit zgjedhjet e reja që kërkohen nga VMRO-ja nuk do të ishin zgjidhja më e mirë për vendin andaj edhe i përjashton si mundësi në rrethanat e krijuar pas dështimit të Nikolla Gruevskit të VMRO DPMNE-së për formimin e qeverisë.

Nëse VMRO DPMNE-ja mbetet në qëndrimin për të shkuar në zgjedhje, vlerësoj se ajo ose do të bojkotojë punimet e Kuvendit ose e vetme do të shkojë në zgjedhje të tilla. Partitë e kanë për obligim të zgjidhin krizën e jo ta thellojnë atë me kërkesa për zgjedhje të reja”, thotë Dujoski.

Kundër zgjedhjeve janë deklaruar edhe europarlamentarët Ivo Vajgl dhe Knut Fleckenstein. Ata në disa paraqitje në Bruksel kanë kërkuar që mandati për formimin e qeverisë së re duhet t'i kalojë liderit opozitar, Zoran Zaev.

XS
SM
MD
LG