Ndërlidhjet

Ivanov në konsultime me partitë për qeverinë e re


Ilustrim - zgjedhjet në Maqedoni, Dhjetor 2016
Ilustrim - zgjedhjet në Maqedoni, Dhjetor 2016

Pas dështimit të kryetarit të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevskit për të formuar qeverinë së bashku me Bashkimin Demokratik për Integrim, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov po zhvillon konsultime me të gjitha partitë parlamentare lidhur me hapat e mëtejmë.

Pas përfundimit të takimeve me përfaqësuesit VMRO-së, LSDM-së, BDI-së, Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët. Ivanov do të dalë me qëndrim se cilës parti do t’i japë mandatin për bërjen e qeverisë apo do të kërkojë zgjidhje tjera.

LSDM-ja si parti e dytë me më shumë deputetë pas VMRO DPMNE-së kërkon që mandati t’i kalojë asaj, por nga presidenca nuk kanë dalë me qëndrim duke thirrur takime konsultuese.

Ekspertët ligjorë thonë se ato janë të vonuara meqë presidenti, sipas tyre, ka bërë shkelje të kushtetutës që në rastin e dhënies së mandatit Nikolla Gruevskit, pa u siguruar paraprakisht nëse kishte arritur shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

Në LSDM thonë se janë në pritje të hapave që do t’i ndërmarrë kreu i shtetit dhe në rast se i jepet mandati do të nisin bisedimet me partitë shqiptare.

Këto të fundit nga ana tjetër nuk e përjashtojnë mundësinë e një koalicioni me opozitën maqedonase. BDI-ja nuk ka qëndrim të prerë por disa nga anëtarët e saj kanë thënë se mandati duhet t’i jepet Zaevit, ndërsa dy partitë tjera Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët thonë se do të mbështesin një shumicë nga LSDM-ja për shkak të pozicionit të saj pranues të kërkesave shqiptare.

"Për modalitetet e pjesëmarrjes sonë në këtë shumicë parlamentare dhe pastaj në ekzekutiv, do të flasim nëse mandatin për formimin e qeverisë e merr Zoran Zaevi i LSDM-së. Mendoj se ende është herët të flitet për këtë pasi në opinion ekziston skepticizëm nëse mandati do të arrijë tek Zaevi”, ka deklaruar Zeqirja Ibrahimi nga Lëvizja Besa.

Kjo parti dhe Aleanca për Shqiptarët kanë përjashtuar çdo mundësi koalicionimi me VMRO-në për shkak të qëndrimeve të saj refuzuese ndaj kërkesave të shqiptarëve, që tani janë pjesë e deklaratës së përbashkët të arritur pas konsultimeve me autoritetet shtetërore në Prishtinë dhe Tiranë.

“Në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare janë gjuha shqipe, prokuroria speciale, zgjidhja e proceseve të montuara dhe shumë çështje tjera dhe ne nuk do të themi jo nëse tek blloku tjetër, në rastin konkret nga LSDM-ja do të kemi përgjigje afirmative për deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare. Vlerësoj se partitë politike duhet të përqendrohen në deklaratën e përbashkët të cilën e kemi nënshkruar”, ka deklaruar kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Partitë shqiptare janë deklaruar edhe kundër kërkesës së VMRO-së për zgjedhje të reja parlamentare. Lidhur me gjendjen e krijuar janë deklaruar edhe përfaqësitë diplomatike.

Ambasada e SHBA-së ka përsëritur qëndrimin për vazhdimin e negociatave për formimin e një qeverie të re.

“Ne presim që të punojmë me qeverinë e re, kur të formohet, për avancimin e integrimit euroatlantik nëpërmjet zbatimit të reformave të parapara me Marrëveshjen e Përzhinës, në veçanti lidhur me sundimin e së drejtës”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Shkup.

Zyra e BE-së ka rekomanduar vazhdimin e bisedimeve për formimin e një koalicioni të zgjeruar i gatshëm për vazhdimin e reformave të parapara me marrëveshjet e deritanishme me partive politike.

XS
SM
MD
LG