Ndërlidhjet

Kriza politike dhe institucionet e brishta, “dëbojnë” të rinjtë nga vendi


Shkup
Shkup

Të rinjtë në Maqedoni thonë se zgjatja e krizës politike për më shumë se dy vjet, si dhe mungesa e institucioneve të mirëfillta demokratike i bën të ndihen skeptikë se do të ndryshojë situata për të mirë dhe se do të mund të ndërtojnë një të ardhme të sigurt për ata dhe familjet e tyre në Maqedoni, duke synuar të ndërtojnë të ardhmen në një nga vendet BE-së apo edhe më larg.

Na mbetet të mbijetojmë me 200 euro rrogë ashtu siç dimë dhe mundemi, ndërkohë e shihni sa zgjat kriza, askush s`mendon për të ardhmen e të rinjve. I gjithë debati fokusohet tek interesat e një grupi njerëzish në krye të partive, prandaj nëse më jepet shans menjëherë isha larguar nga vendi”, thotë Filip Andonovski.

Ndërkaq, Elmendina Asani, e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, e cila gjatë vitit 2016 është përfshirë në një hulumtim të studentëve nga i gjithë rajoni, duke pasur si objektiv se ku e shohin ata perspektivën e tyre, thotë se rezultatet e kësaj ankete kanë nxjerrë në pah se mbi 80% e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Maqedoni, sapo të përfundojnë studimet, të ardhmen e tyre e shohin jashtë vendit.

“Sa i përket gjeneratës sime, shumica e studentëve më të mirë, atyre me notë më të lartë mesatare, tashmë janë larguar në vendet perëndimore, kryesisht në Gjemani, pastaj në Britani të Madhe dhe disa në SHBA. Më vjen keq se detyrohemi si të rinj që të ardhmen ta shohim jashtë vendit dhe jo këtu. Elitat politike duhet të angazhohen që neve të na jepet mundësia në Maqedoni - këtu të mund të ndërtojmë të ardhmen tonë", thotë mjekja Asani.

Ndërkohë, Ana Stojanovska thotë se është e pamundur të ndërtosh të ardhme në Maqedoni, përderisa gjithçka varet nga politika, ose siç shprehet ajo “më saktësisht përfshirja në politikë”.

“Pse dua të largohem nga Maqedonia? Mendoj se është bërë më se e qartë se këtu është shumë vështirë të ndërtosh një të ardhme përderisa çdo gjë shihet përmes filtrit partiak, qoftë kur bëhet fjalë për hapjen e një biznesi privat apo punësimi në institucionet shtetërore".

"Unë me bashkëshortin kemi vendosur të shkojmë në Australi, me vizë studentore, përkatësisht për vazhdimin e studimeve master. Dëshiroj të largohem nga Maqedonia, sepse as unë e as bashkëshorti im, edhe pse të diplomuar, nuk arrijmë të gjejmë një vend të sigurt pune dhe një të ardhme të paktën me standard mesatar për vajzën tonë tre vjeçe”, tregon Ana Stojanovska.

Nga Qendra për arsim e të rinjve thonë se Maqedonia do të paguajë një kosto të lartë si shtet, veçanërisht për faktin se popullata më e re dhe e arsimuar, po largohet nga vendi.

Dona Kosuranova, drejtuese e Qendrës për Arsim të të Rinjve, thotë se shteti investon në shkollimin dhe edukimin e të rinjve dhe kur vjen koha për t’u punësuar, mungojnë strategjitë konkrete, të cilat do të krijonin mundësi që më të mirët të përfshihen në sistemin e punës.

“Përkundrazi, gjithçka shkon përmes librezës partiake, kur synohet punësimi në institucionet shtetërore. Pothuajse njëjtë është dhe në sektorin privat, sepse benifitet që i ndan shteti, edhe ato shkojnë përmes filtrave të strukturave udhëheqëse të politikës”.

“Më duhet të theksoj se shteti pëson humbje të mëdha dita-ditës, sepse i edukon gjeneratat e reja dhe kur vjen koha që ata më të mirët me dijen e tyre të kontribuojnë në këtë vend, detyrohen të largohen”, thekson Dona Kosturanova.

Ajo shton se Qeveria e re e Maqedonisë me seriozitet duhet të shqyrtojë shkallën e lartë të papunësisë te gjeneratat më të reja, e cila arrin më shumë se 50 për qind.

Të gjitha partitë politike, të cilat garuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar në programet e tyre në fokus kishin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe ngritjen e standardit jetësor.

Por, organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë popullatën më të re thonë se qeveria e re e Maqedonisë krahas zgjidhjes së problemeve politike duhet të ketë parasysh edhe ndërtimin e një strategjie të qartë që do të hapte perspektivat për të rinjtë në Maqedoni me këtë dhe të ndalojë migrimin përmes liberalizimit të vizave.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG