Ndërlidhjet

Shkencëtari që kritikohet nga Perëndimi – punon në Rusi


Kirurgu Paolo Macchiarini, njëherë ishte simbol i entuziazmit lidhur me punën e tij të përdorimit të qelizave në mjekësi.

Qëllimi i këtij shkencëtari regjenerativ italian dhe kirurgu, ishte që t’i përdorë indet qelizore për të krijuar organe zëvendësuese njerëzore për sëmundjet tejet të vështira. Vetëm para pak vitesh, ka pasur indikacione se ai e kishte gjetur mënyrën për ta bërë këtë.

Por, pacientët e tij vazhdonin të vdisnin.

Për këtë arsye, pas nëntë vjetësh të operacioneve që ishin në qendër të vemendjes së opinionit në Suedi, Rusi, Britani dhe Shtetet e Bashkuara, ku pjesa më e madhe e pacientëve të tij vdisnin, pasi merrnin organe artificiale plastike të mveshura me ide qelizore, Macchiarini përsëri ishte në fokus të mediave, por tash për kritika shkencore aq të fuqishme, sa që ai u shkarkua nga punëdhënësi i tij më prestigjioz.

Instituti Karolinska në Stokholm të Suedisë ia ndërpreu kontratën për punë në muajin mars të vitit të kaluar për shkelje të “vlerave fundamentale” dhe për dëmtimin e retupacionit të këtij instituti. Tre muaj më vonë, policia e Suedisë e filloi hetimin, i cili vazhdon ende, lidhur me mundësinë që ai ndoshta ka kryer vrasje të paqëllimshme.

A do të përfundojë puna e tij në Rusi?

Megjithatë, përkundër kritikave që vazhdojnë për punën e tij në Evropë, Macchiarini vazhdon ta udhëheq një ekip kërkimor të bioinxhinierisë dhe mjekësisë regjenerative në Universitetin Kazan në Tatarstan të Rusisë.

Por, ka shenja se mirëpritja e tij në Rusi mund të përfundojë. Aktualisht, Macchiarini është i kufizuar vetëm në aktivitete të kërkimit në vendin ku ai më parë ishte lejuar që t’i kryejë katër transplantime të laringut artificial.

“Leja që Paolo Macchiarini e ka për punë në Universitetin Federal Kazan është ekskluzivisht për studime paraklinike dhe ka të bëjë me krijimin e indeve strukturore për t’i zëvendësuar organet e dëmtuara të gjallesave jonjerëzore”, i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësja e Universitetit Kazan, Natalia Darashkevich.

Kufizimi për studime paraklinike do të thotë se Macchiarini kryen kërkime që më vonë do të mund të përdoreshin në transplantime të organeve për njerëz, por ai aktualisht nuk operon në pacientët njerëzor. Ai tash operon në majmunë.

Drejtori shkencor në Institutin e Studimeve Qelizore Njerëzore në Moskë, Roman Deev, e ka përcjellë punën e Macchiarinit për shumë vite.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se financimi aktual për kirurgun nga Fondacioni i Shkencave Ruse, që e mbështet punën e Macchiarinit në Universitetin Federal Kazan, automatikisht do të skadojë në vitin 2018.

Shkencëtari Deev ka shprehur skepticizëm se Macchiarini do të ketë ndonjë fond tjetër për kërkime në Rusi. “Nuk konsideroj se puna e tij e tashme është diçka si linjë e parë e shkencës reale”, tha Roman Deev.

Duket se Macchiarinit po i përfundon periudha e gjatë e punës në Rusi, prej fundit të vitit 2000, kur ai ishte një yll në rritje në fushën e tij kirurgjike.

Operacionet e para në Rusi dhe Suedi

Në këtë kuadër ai e realizioi edhe operacionin e tij të parë, ndërsa paciente ishte një femër, 26 vjeçarja nga Kazakistani fqinj, me emrin Zhadrya Iglikova, e cila e kishte të lënduar rëndë largingun në një aksident trafiku.

Operacioni u bë në Rusi në dhjetor të vitit 2010 dhe fillimisht ishte festuar nga mediat ruse si sukses. Por, më vonë, në vitin 2016, prindërit e saj thanë se vajza e tyre nuk ishte në gjendje të flasë dhe se posa ishte larguar nga shtëpia për t’i vizituar institucionet shëndetësore.

Gjashtë muaj pas operacionit të tij të parë në Rusi, Macchiarini e kreu transplantimin e tij të parë sintetik në Suedi. Ky operacion, në qershor të vitit 2011 e ngriti atë në nivelin më të lartë. Por, pas dy vjetësh e gjysmë pacientja e tij, Andemariam Beyene, vdiq.

Kirurgu Macchiarini vazhdoi me operacione në Rusi. Pacientë të tij ishin Yulia Tuulik dhe Aleksandr Yoyulay, që vdiqën dy vjet pas operacionit. Pacienti tjetër, shtetasi jordanez, Sadiq Kanaan, ka vdekur pas operacionit në vitin 2013. Pacienti, Dmitry Onogda, e mbijetoi transplantin në vitin 2014, pasi organi artificial iu largua menjëherë.

Disa pacientë vdesin, kirurgu nuk pranon keqbërje

Gjatë karrierës së tij kundërthënësi, italiani Paolo Macchiarini, i ka hedhur poshtë sugjerimet për keqbërje.

“Çdoherë kam besuar se operacioni im ka aftësi për ta ndihmuar pacientin”, i tha Macchiarini Radios Evropa e Lirë, nëpërmjet një deklarate me shkrim.

Ai tha, po ashtu, se të dhënat që i kishte marrë për kushtet pasoperative të pacientëve të tij, e arsyetojnë optimizmin për progresin e tyre.

Paolo Macchiarini thotë se u është përgjigjur në mënyrë të detajizuar kritikave nga ana e shkencëtarëve dhe se “përgjigjet e mia ndaj të gjitha akuzave, të bëra deri tash janë publike”.

Derisa ai kryen kërkime në Rusi, shkencëtarët në Suedi, përfshirë edhe ish-kolegët e tij, vazhdojnë ta kritikojnë punën e tij.

Në dhjetor të vitit të kaluar, një grup i doktorëve të shkencave në Suedi e kanë publikuar një peticion, me të cilin, nga autoritetet e Rusisë kërkohet të ndërmarrin hetime lidhur me aktivitetet e Macchiarinit në Rusi, në dritën e akuzave për punën e tij në Suedi. Peticioni i ishte dorëzuar ambasadorit të Rusisë në Stokholm, por ende nuk ka përgjigje.

Mbetet të shihet nëse kritikat do ta arrijnë qëllimin e tyre për ta përfunduar karrierën e Macchiarinit.

Puna e Macchiarinit – kufizohet me papërgjegjësi

Sa i përket çështjes se nëse do të arrihet qëllimi i Macchiarinit, dikur revolucionar, për përdorimin e organeve sintetike të kombinuara me inde qelizore, për t’i zëvendësuar pjesët e organeve njerëzore, disa ekspertë thonë se besojnë se një ditë kjo do të ndodhë.

Por, disa prej tyre argumentojnë se kjo nuk do të ndodhë nëpërmjet metodave punuese të ish-super yllit shkencor.

“Progresi i mëtejshëm është i mundshëm, por në shkencë ju nuk mund të lëvizni prëpara me kërcime gjigante... ju duhet të lëvizni me hapa të vegjël”, i tha Radios Evropa e Lirë, Bengdt Gerdin, profesor në pension i kirurgjisë në Universitetin Upsala (Suedi), i cili ka sugjeruar se Macchiarini ishte “mbështetur në gjasë” në kërkimet e tij.

“Me gjasë kjo është formë e guximit, që kufizohet me papërgjegjësi”, thotë Gerdin.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG