Ndërlidhjet

Hahn: Vendim cilësor e jo i përshpejtuar për Qeverinë e re


Johannes Hahn
Johannes Hahn

Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, pas takimit me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov dhe një varg takimesh të realizuara gjatë të enjtes në mbrëmje me partitë politike parlamentare, ka theksuar se partive politike u nevojitet akoma kohë për të biseduar për formimin e Qeverisë por nuk ka dhënë më shumë hollësi.

“Shihet qartë se nevojitet akoma kohë. Ata do të vazhdojnë me negociatat dhe pres që të sjellin vendim në interes të vendit, qytetarëve dhe ardhmërisë evropiane. Bashkimi Evropian do të bëj çmos që t’i ndihmojë vendit dhe udhëheqësisë së vendit”, tha Hahn.

Komisionari i BE-së tha se ‘po largohet optimist nga Maqedonia se udhëheqësit e partive politike do të demonstrojnë pjekuri politike’, duke mos dashur të përgjigjet më konkretisht nëse Maqedonia mund të humb rekomandimin për anëtarësim në BE nëse deri në fund të këtij muaji nuk arrin të formojë Qeveri.

“Për formimin e Qeverisë duhet të dihet se bëhet fjalë për një vendim cilësor dhe jo të shpejtë dhe se partitë politike duhet të demonstrojnë pjekuri demokratike dhe të formojnë program të bazuar në marrëveshjen e Përzhinos, duke treguar përkushtim ndaj perspektivave evropiane. Nëse kjo ndodh, ka një ardhmëri për Maqedoninë”, tha Johannes Hahn, në kohën kur në emër të BE-së, dikasterit të policisë kufitare i dhuroi 33 automjete.

Kabineti i presidentit të Maqedonisë Ivanov ka njoftuar se gjatë takimit me komisionarin Hahn, kanë vlerësuar se “me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit është që sa më shpejt të formohet Qeveria e Republikës së Maqedonisë, sepse vetëm me institucione plotësisht funksionale shteti do të jetë i gatshëm të përballet me të gjitha sfidat”.

Drejtuesit e gjitha partitë politike parlamentare përveç VMRO DPMNE-së, pas takimit me komisionari Johannes Hahn për mediat theksuan se Brukseli zyrtar është i interesuar që Maqedonia sa më parë të formojë Qeverinë e cila do t`u përkushtohet reformave që kërkohen dhe në raportin e Pribesë.

Zëdhënësi I VMRO DPMNE-së, që drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, tha se komisionari Hahn gjatë takimit me zyrtarët e kësaj partie i ka siguruar se Bashkimi Evropian nuk do të përzihet se kush me kënd do ta bëjë Qeverinë.

“Komisari Hahn i dha mendimet e veta, të cilat janë të ngjashme me ato publike të cilat i ka thënë në konferencën e djeshme për shtyp, por edhe nëpërmjet formës së rekomandimeve më parë janë dërguar nëpërmjet konferenca për shtyp të zëdhënësve të BE-së, gjatë së cilës është theksuar se BE nuk do të përzihet në atë se kush me kë do të formojë koalicion dhe çfarë vendime tjera do të sjellin partitë e Maqedonisë në krijimin e koalicionit ose Qeverisë”, ka sqaruar qëndrimet e VMRO DPMNE-së pas takimit me komisionari Hahn zëdhënësi i kësaj partie Ivo Kotevski .

Akoma mbetet e paqartë nëse lideri i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, do të arrijë të mbledh nënshkrimet e nevojshme për të siguruar shumicën parlamentare si kusht i vendosur nga presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, pasi paraprakisht dështoi ta formojë qeverinë lideri VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski të cilit iu nda mandati.

Përderisa edhe zyrtarisht kanë filluar bisedimet mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, lideri i kësaj të fundit Ali Ahmeti të enjten tha se 10 deputetët e parisë së tij nuk do të deponojnë nënshkrimet për të marrë mandatin Zaev, përderisa nga kjo parti nuk ofrohet garanci e dokumentuar se do të mbështesë platformën e partive politike shqiptare.

Pas kësaj, lideri i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev tha se Ali Ahmeti nuk ka kërkuar asgjë në letër si dokument garanci për implementimin e platformës së partive politike shqiptare, por nëse një gjë tillë i kërkohet ai do ta ofrojë, duke shtuar se ka mendim pozitiv sa i përket platformës shqiptare.

Njohësit e çështjeve politike thonë se përderisa presidenti i shtetit Gjorge Ivanov nuk përcaktoi afatin kohor se deri kur duhet të mbledh nënshkrimet lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, si kusht për t’ia ndarë mandatin për të formuar Qeverinë e re, gjë të cilin kusht nuk e vendosi gjatë ndarjes së mandatit për Nikolla Gruevskin, synohet të blihet kohë që të skadojë afati i funksionimit të Prokurorisë Speciale .

XS
SM
MD
LG