Ndërlidhjet

Serbia mban peng rreth 2 miliardë euro të pensionistëve nga Kosova


Ilustrim

Fondi Pensional i Kosovës mbetet “i kidnapuar” nga Serbia që nga mbarimi i luftës. Kjo çështje, sikurse edhe shumë tjera, ka mbetur e pazgjidhur dhe e papërfshirë në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dialogun që po e lehtëson Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesit e pensionistëve kërkojnë nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendor, që të bëhet presion mbi Serbinë, që të zgjidhet çështja e kompensimit të pensioneve.

Sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional nga ana e Serbisë, numri i pensionistëve ishte llogaritur të jetë më shumë se 89 mijë.

Ndërkaq, aktualisht llogariten se janë rreth 50 mijë pensionistë, të cilët presin realizimin e të drejtës së tyre për kompensim.

Shaban Kajtazi, udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në bashkëpunim me institucionet qeveritare janë duke punuar në këtë drejtim.

“Së pari, i jemi drejtuar Komitetit të Këshillit të Evropës, që në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg, ta obligojë Serbinë që t’ua kthejë të gjitha pensionet, pensionistëve të Kosovës. Komiteti i Këshillit të Evropës e ka shqyrtuar kërkesën disa herë, kurse kërkesa e fundit është në shqyrtim e sipër”, thotë Kajtazi.

Pesimist për mundësimin e kthimit të Fondit Pensional, shprehet Haki Berisha, i cili në atë kohë ka punuar në ndërmarrje shoqërore. Ai thotë se pavarësisht presioneve që po bëjnë autoritetet e Kosovës, Serbia nuk do ta kthejë borxhin e pensionistëve.

“Nuk besoj që Serbia do t’i kthejë pensionet. Serbia nuk respekton asnjë marrëveshje karshi Kosovës, madje as dëmshpërblimet e luftës”, thotë Berisha.

Shaban Kajtazi, ndërkaq, rikonfirmon premtimin e autoriteteve të Kosovës që kjo çështje të hyjë në agjendën e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Para 10 ditësh kam biseduar me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, dhe ministri ka iniciuar që përmes Qeverisë së Kosovës, të forcohet kërkesa për shtrim në dialog të kësaj çështjeje”, thekson Kajtazi.

Ekspertë të çështjeve ekonomike, ndërkaq, theksojnë se kjo problematikë është dashur të zgjidhjet qysh moti.

Naim Gashi thotë se Serbia është nënshkruese e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe e cila e njeh të drejtën e pensionimit. Kështu që, sipas tij, është e papranueshme me çdo standard dhe kriter ndërkombëtar që pensionistët kosovarë nuk i kanë marrë pensionet nga Serbia.

Kjo do të thotë se Serbia, përveç kthimit të Fondit Pensional me kamata (për mbajtjen e saj për 17 vjet) do të duhej njëkohësisht të fillonte të paguante të gjitha pensionet, pensionistëve që kanë punuar”.

“Por, unë mendoj se autoritetet vendore nuk kanë bërë mjaftueshëm që ta shtyjnë agjendën e kthimit të Fondit Pensional dhe fillimin e pagesës së pensioneve nga Serbia, as në bisedimet e Vjenës, as ato në Bruksel, por as gjatë bisedimeve me faktorin ndërkombëtar”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas vlerësimeve të përafërta, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën deri në dy miliardë euro. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG