Ndërlidhjet

Trump dëshiron avancimin e arsenalit atomik


Presidenti Donald Trump gjatë intervistës me agjencinë Reuters, 23 shkurt 2017

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se dëshiron avancimin e arsenalit atomik për të siguruar se ky armatim është në “nivelin më të lartë”.

Gjatë një interviste të mbrëmshme me agjencinë Reuters, zoti Trump ka argumentuar se Shtetet e Bashkuara kanë mbetur prapa në kapacitetin e armatimit bërthamor.

Ai e ka kritikuar marrëveshjen e vitit 2011, të njohur me emrin New START, me Rusinë, për kufizimin e armatimit strategjik, sipas së cilës kërkohet që të dy palët duhet t’i kufizojnë arsenalet e tyre të armatimit strategjik atomik deri në shkurt të vitit të ardhshëm, në nivel të barabartë për një periudhë 10 vjeçare.

Marrëveshja New START lejon që secila palë t’i ketë jo më tepër se 800 lansues raketorë balistikë ndërkontinentalë, nëndetëse dhe bombardues të rëndë të pajisur për bartjen e armatimit bërthamor.

Me këtë marrëveshje, po ashtu, imponohen kufizime të barabarta për armatimet e tjera atomike.

Duke folur në Zyrën e tij ovale në Shtëpinë e Bardhë presidenti, Donald Trump, tha se kjo marrëveshje është e njëanshme.

“Kjo është edhe një marrëveshje e keqe për vendin”, tha Trump dhe ka shtuar se “ne do të fillojmë të bëjmë marrëveshje të mira”.

Në kuadër të “marrëveshjeve të këqija” ai e ka përmendur edhe atë me Iranin.

Zoti Trump disa herë e ka kritikuar marrëveshjen e arritur në korrik të vitit 2015, ndërmjet fuqive botërore dhe Iranit, që parasheh kufizime në programin atomik iranian në këmbim për tërheqje të pjesshme të sanksioneve ndërkombëtare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përmendur edhe vendosjen e raketave me koka atomike nga ana e Rusisë, që është shkelje e marrëveshjes për kontrollin e armatimit nga viti 1987, me të cilin ndalohet vendosja e raketave tokësore me rreze të mesme veprimi të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Kjo për mua është çështje e madhe”, tha Trump dhe ka shtuar se ai për këtë çështje do të bisedoj me presidentin e Rusisë, Vlaidmir Putin, “nëse dhe kur të takohemi”.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat se e ka shkelur marrëveshjen e përmendur.

Zoti Trump, në intervistën për agjencinë Reuters, po ashtu, i ka bërë presion Kinës që ta zgjidhë sfidën e sigurisë që paraqet Koreja Veriore, duke thënë se Pekini mund të bëjë më tepër ndikim në Phenianin shumë lehtë, “nëse ata duan ta bëjnë këtë”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG