Ndërlidhjet

BDI mes pushtetit dhe opozitës - Protesta kundër shqipes në Shkup


Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e përjashton mundësinë që të mbetet në opozitë dhe të mbështes një qeveri të pakicës, që do të formohej nga Lidhja Social-Demokrate e Zoran Zaevit me të cilën paraprakisht ka arritur marrëveshje për draft-ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Një deklaratë e këtillë e BDI-së vjen në kohën kur opinioni priste vendimin e dy partive për formimin e koalicionit qeveritar. Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së, ka konfirmuar deklaratën e kryetarit të saj, Ali Ahmeti se një nga opsionit është edhe mbajtja e BDI-së në opozitës Ai si shumë të rëndësishëm e ka vlerësuar arritjen e draft-ligjit për gjuhën shqipe, që sipas tij mund të miratohet edhe duke qenë në opozitë.

“Dy janë mënyrat ose instrumentet për të kaluar këtë ligj. Njëri është duke qenë në qeveri dhe tjetri duke i dhënë mbështetje një qeverie të pakicës. Kryetari i partisë sheh argumente të mira në opsionin e mbështetjes së një qeverie të tillë ose të mbeturit të opozitë me çka edhe do të kalon ligji, por edhe do të mundësohen që të zbardhen të gjitha ato dyshime dhe akuza që gjatë kësaj peridhe janë bërë për qeverisjen e BDI-së”, tha Osmani.

Ahmeti dhe Zaev, të mërkurën në mbrëmje, thanë se kanë zgjidhur të gjitha çështjet për formën e avancimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kreu i LSDM-së, Zaev tha të enjten se BDI-ja do t’i japë atij nënshkrimet për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re ndërsa paralajmëroi miratimin e saj brenda 15 ditëve.

Draft-ligji për gjuhët parasheh përdorim të gjerë të shqipes në Kuvend, qeveri, pushtetit gjyqësor, jurisprudencë, në dokumentet personale, organet e sigurisë, përfshirë edhe komunat ku nuk ka popullatë shqiptare, por në rastet kur shqiptarët u drejtohen atyre për marrjen e shërbimeve personale.

Njoftimet për arritjen e marrëveshjes për gjuhën shqipe kanë nxitur reagime të shumta, në veçanti nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit, e cila ka paralajmëruar kundërshtimin e një zgjidhjeje të tillë me të gjitha format e mundshme.

Një organizatë me emrin “Të palëkundurit”, ka organizuar një protestë para Kuvendit të Maqedonisë duke u kërcënuar se me të gjitha format e mundshme do të kundërshtoj marrëveshjen me LSDM-së dhe BDI-së, duke e quajtur si rrënuese të karakterit unitar të shtetit.

“Këtu jemi për shkak të heshtjes së atyre që mendojnë se janë më të mëdhenjtë, për shkak të heshtjes se partive tona ndaj agresionit të hapur të shkruar dhe të konstruktuar në Tiranë dhe Prishtinë, agresion të cilin dy partitë tona e heshtën. Ato heshtën dhe tani me këtë dokument të paligjshëm ulen dhe bisedojnë për formimin e qeverisë së re...qëllim i platformës së tillë është rrënimi i shtetit dhe imponimi i një rregullimi të ri, për ne të papranueshëm. Ne, jemi të gatshëm që ta shërojmë këtë plagë që iu bë atdheut tonë. Do ta mbrojmë deri në fund”, ka deklaruar Dragan Ugrinovski, zëdhënës i organizatës “Të palëkundurit”.

Akuza për ndërhyrje nga jashtë duke aluduar në Tiranën Zyrtare dhe kryeministrit Edi Rama, pas angazhimit në lehtësimin për arritjen e platformës shqiptare, kishte edhe nga presidenti Gjorgje Ivanov.

XS
SM
MD
LG