Ndërlidhjet

Analistët: Pozicionimi i Ivanovit e çon Maqedoninë drejt shkatërrimit


Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dhe kryetari i VMRO DPMNE Nikolla Gruevski, po e fusin qëllimisht vendin në një krizë të thellë politike, duke penguar bartjen e qetë të pushtetit, kanë thënë njohës të rrethanave politike në vend.

Ata thonë se kjo po bëhet përmes ‘veprimeve të sinkronizuara duke mos ia ndarë mandatin për të formuar qeverinë e re Zoran Zaevit edhe pse dorëzoi 67 nënshkrimet e deputetëve, si garanci për sigurimin e shumicës parlamentare dhe në anën tjetër me nxitjen e protestave kundër koalicionit ndërmjet lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe partive shqiptare, pas marrëveshjes për Ligjin për gjuhën shqipe e fusin Maqedoninë.

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka shpërfillur thirrjet e diplomatëve të vendeve perëndimore për rishqyrtimin e vendimit për mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Madje, presidenti Ivanov sot përmes një letre u është dejtuar SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe Turqisë me ç`rast ka kërkuar të dënohet platforma shqiptare përmbajtjen e së cilës e ka cilësuar si shumë të rrezikshme për shtetin e Maqedonisë ”

Letra e Ivanovit vjen pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së ditën e hënë në Bruksel, në të cilin shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, bëri thirrje për shfrytëzimin e të gjitha instrumenteve për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni e cila mund të shndërrohet në krizë ndëretnike.

Analistët në Maqedoni ndërkaq thonë se presidenti Ivanov qëllimisht po armiqëson raportet me shqiptarët për të penguar bartjen e pushtetit me qëllim të, sic thonë, ‘shpëtimit të zyrtarëve të lartë të VMRO DPMNE-së të cilët duhet të përballen me drejtësinë’ sapo të humbasin pushtetin përkatësisht kontrollin ndaj institucioneve.

Analisti Alajdin Demiri duke komentuar letrën e Ivanovit drejtuar SHBA, BE NATO-s dhe Turqisë ku thekson se cenohet karakteri unitar i shtetit me platformën shqiptare, tha për Radion Evropa e Lirë se presidenti posynon ta ndërkombëtarizojë një problem inekzistent, me qëllim që të lë nën hije problemin e vërtetë luftën kundër krimit dhe shtetin e kapur.

“Pozicioni i Ivanovit e çon Maqedoninë drejt shkatërrimit dhe këtë e ka më se të qartë edhe VMRO DPMNE në krye me Gruevskin po edhe Ivanovi si president i shtetit. Ai në këtë shkatërrim do t’i implikojë dhe të gjitha shtetet dhe forcat relevante ndërkombëtare që mendojnë ndryshe. Dhe ndryshe nga qëndrimi i Ivanovit janë porositë e SHBA, BE dhe partive politike shqiptare. Ivanov nuk ka aspak të drejtë që gjuhën shqipe ta trajtojë si gjuhë armiqësore dhe aq më pak nuk ka të drejtë që platformën e partive politike të partive politike shqiptare ta trajtojë si platformë të një shteti të huaj”, thekson Alajdin Demiri ish diplomat.

Ndërkohë, analisti politik maqedonas Nikolla Dujovski vlerëson se presioni i faktorit ndërkombëtarë dhe porositë e ashpra të diplomatëve të huaj pak ka gjasa që të kontribuojnë që presidenti Ivanov ta ndryshojë vendimin. Ai thotë se Maqedonia është shtet parlamentar dhe deputetët duhet ta marrin situatën në duar.

“Realisht më i realizueshëm mbetet opsioni që parlamenti të mblidhet, ta zgjedh kryetarin e parlamentit, të fillojë procesi i formimit të qeverisë së re. Pra, zgjidhja duhet kërkuar në këtë variant dhe do të duhet të kontrollohen protestat e mbështetësve të VMRO DPMNE, të cilët kanë paralajmëruar se do të bllokojnë punën e parlamentit dhe të shfrytëzohen mekanizmat juridik dhe organet e sigurisë që të garantojnë punën e pavarur të organit ligjvënës”, tha Dujovski.

Sipas tij, Maqedonia duhet të demonstrojë se funksionon si shtet demokratik dhe jo të mbetet peng i një grupi protestuesish të cilët janë kundër bartjes së qetë të pushtetit.

Ndërkohë protestat e Iniciativës qytetare për një Maqedoni të Përbashkët në mbështetje të VMRO DPMNE-së kundër gjuhës shqipe do të vazhdojnë.

Iniciatorët e protestave thonë se do të pengojnë konstituimin e parlamentit që do të çonte kah formimi i qeverisë mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe partive politike shqiptare, ngase në këtë formë, siç thonë, cenohet karakteri unitar i Maqedonisë si shtet. (REL)

XS
SM
MD
LG