Ndërlidhjet

Gjermania fton Ivanovin të tërheqë vendimin


Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov

Gjermania i ka bërë thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov që të respektojë Kushtetutën dhe të mandatojë për kryeministër, liderin opozitar, Zoran Zaev.

Kristian Halbab, përfaqësues i posaçëm i Qeverisë gjermane për Evropën Juglindore, pas takimeve në Shkup me drejtuesit e partive politike gjithashtu theksoi rëndësinë për vazhdimin pa pengesa të punës së Prokurorisë Speciale për hetimin e të aferës së përgjimeve.


Kryetari i shtetit duhet të respektojë rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe t’i lejojë shumicës parlamentare të krijojë sa më shpejtë qeverinë e re. Dua të theksoj se është shumë e rëndësishme që Prokuroria Speciale të vazhdojë punën e saj në bashkëpunim me institucionet e tjera të pavarura dhe kredibile”, ka deklaruar Kristian Halbab, përfaqësues i posaçëm i Qeverisë gjermane për Evropën Juglindore.


Ndërkohë, partitë ende nuk kanë arritur asnjë zgjidhje për dalje nga gjendja e krijuar pas refuzimit të presidentit Ivanov që të mandatojë kryetarin e LSDM-së. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se me diplomatin gjerman janë biseduar mundësitë për zhbllokimin e punës së Kuvendit. Ahmeti tha se me rëndësi është që kriza të mos thellohet dhe të mos kalojë në krizë etnike.

Është biseduar mbi mënyrat se si të zgjidhet kriza politike në vend, cilat janë masat që kjo krizë mos të thellohet edhe më tej, të mos shdërrohet nga krizë politike në krizë mes etnive. Jemi duke biseduar me të gjitha partitë politike relevante. Nuk ka nevojë as për zhurmë, as për përplasje që të vazhdojë punën normale Kuvendi i Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.


Partitë politike shqiptare ndërkohë kanë përjashtuar mundësinë për heqje dorë nga deklarata e përbashkët politike, që edhe ka thelluar krizën politike.

Unë për vete kurrë nuk do të heq dorë nga Deklarata e Përbashkët sepse realisht e kanë bërë gogol këtë deklaratë. Kjo deklaratë është të ndahen paratë e zhvillimit barabartë rajonal, ligj i sjellur në vitin 2009 nga VMRO-ja e që nuk është respektuar”, ka deklaruar Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët e cila pritet të jetë pjesë e qeverisë, në rast të formimit të saj nga LSDM dhe BDI.


Nga ana tjetër edhe Lëvizja Besa e ka vlerësuar si të gabuar vendimin e Ivanovin për mos dhënien e mandatit Zoran Zaevit.


Unë jam optimist se politikanët do të reflektojnë dhe do ta kuptojnë se veprimet e tyre janë të rëndësishme, përcaktuese dhe determinuese për fatin e çdo qytetari këtu në Maqedoni dhe në këtë drejtim edhe vendimet që do t’i marrin duhet të jenë vendime shumë serioze dhe vendime të cilat para interesit të tyre personal duhet të vendosin interesin e qytetarit”, ka deklaruar Bilall Kasami nga Lëvizja Besa.

Në Maqedoni po qëndron edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanieri, i cili gjithashtu dërgoi mesazhe për zgjidhjen e krizës politike dhe respektimin e Kushtetutës.

XS
SM
MD
LG