Ndërlidhjet

Kryeministrat dhe Hahn: Stabilitet në Ballkan dhe vende të reja pune


Përgatiti: Xhenana Halimoviq

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë përsëritur në Samitin e Sarajevës se qëllimet kryesore të të gjitha vendeve të rajonit janë integrimi evropian, bashkëpunimi ekonomik dhe lidhja infrastrukturore.

“U përqendruam në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon. Kemi diskutuar për qarkullimin më të shpejt të mallrave dhe njerëzve, heqjen e barrierave, krijimin e asociacioneve siç janë odat ekonomike dhe ide të tjera", tha në një konferencë me gazetarë pas përfundimit të Samitit, kryesuesi i Këshillit të ministrave, Denis Zvizdiq.

Ai tha se komisioneri I BE-së për zgjerim Johannes Hahn në Samit e ka “definuar një dimension të ri të bashkëpunimit, ka kthyer fokusin e BE-së në hapësirat e Ballkanit Perëndimor dhe ka vërtetuar perspektivën evropiane të rajonit”.

Vetë komisioneri Hahn tha në konferencë se ka ‘biseduar me kryeministrat për seriozitetin dhe interesin e BE-së për të punuar në integrimin e mëtejmë të rajonit dhe anëtarësimin e plotë të rajonit në BE’.

“Vendet evropiane e kanë konfirmuar këtë qëndrim një javë më parë. Por ka ende punë për të bërë për të arritur këtë synim. Kemi diskutuar sot se si ta bëjmë këtë proces jo vetëm më të dukshëm por gjithashtu edhe qytetarët në rajon, të bëhen një vlerë e shtuar për të gjitha këto aktivitete. Kjo nënkupton të punohet me BE-në, të punohet në këtë perspektivë evropiane”, tha Johannes Hahn.

Samiti i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.

Në takimin e kryeministrave në Sarajevë me mikpritësin Denis Zvizdiq, morën pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i Shqipërisë Edi Rama, i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Kosovës Isa Mustafa, ndërkohë që Maqedoninë e përfaqësoi Emil Dimitriev.

Në Samit mori pjesë edhe komisioneri i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn si dhe ministri i jashtëm i Italisë, Angelino Alfano, vendi i të cilit në korrik do të jetë mikpritës i Samitit të Ballkanit Perëndimor. Samiti mbahet në Trieste.

Samiti i kryeministrave: Rruga evropiane, faktor kyç i stabilitetit në Ballkan

Komisioneri i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, tha të enjten në samitin e kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillon punimet ne Sarajevë, se “takimi dëshmon se pronësia mbi procesin e Berlinit është në këtë pjesë të Evropës”.

Ai tha se edhe pse disa vende po përballen me kriza serioze dhe “me rritjen e retorikës nacionaliste” megjithatë po ecet përpara. Hahn tha se ky është proces serioz dhe se ideja është që rajoni të përgatitet për anëtarësim në BE.

“Propozojmë një treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor si një bazë për qasje dhe krijim të një hapësire të përbashkët ekonomike dh etë tregut si një përgatitje për tregun evropian. Me punën e përbashkët happen të paktën 80 mijë vende të punës deri më 2025. Kjo hapësirë është në prag të tregut evropian dhe me ndërlidhje rriten edhe shanset. Flas për investitorë realë, sepse ky treg është i përbashkët për 20 milionë banorë", tha Hahn.

Hahn ka ripërsëritur qëndrimin e tij të mëhershëm se nuk duhet të luhet me zjarr dhe se është koha që të shfrytëzohet kjo mundësi, në fakt ‘të tregohet lidership i burrështetasve, që është në interes të Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht edhe qytetarëve të këtyre vendeve”

Samiti po mbahet nën masa të rrepta të sigurisë. Forca të shtuara të sigurisë janë mbështetur edhe nga snajperë.

Takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pritet të përqendrohet në projektet rajonale dhe në bashkëpunimin ndërmjet tyre në, siç thuhet, ruajtjen e stabilitetit dhe në prosperitetin ekonomik.

Qëllim i përbashkët, thotë kryesuesi i Këshillit të ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, është rruga drejt BE-së.

“Mendojmë se lidhja rajonale në kuptimin e një infrastrukture kualitative të transportit dhe energjetikës, shkëmbimit më të madh ekonomik që sigurisht çon drejt shtendosjes së marrëdhënieve në rajon”, tha Zvizdiq.ohet në një kohë të ndjeshme për Ballkanin Perëndimor, siç vlerësojnë zyrtarë të lartë të BE-së.

Vetë komisioneri Hahn pak kohë më parë e ka cilësuar këtë pjesë të Evropës si “një enë të mbushur me vaj” dhe i “duhet vetëm një shkëndijë që të shpërthejë zjarri”.

Hahn pati deklaruar se “pajtimi afatgjatë në rajon mund të arrihet vetëm përmes perspektivës evropiane”.

Këshilli Evropian ndërkohë ka bërë thirrje “që vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë me reformat, me ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe me nismat e bashkëpunimit rajonal”

Porositë për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit ka përçuar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, që ka paralajmëruar edhe mbajtjen e një konference të përbashkët me udhëheqësit e rajonit në muajin gusht.

Nëse para anëtarësimit nuk ka përparim, sigurisht se nuk do të jetë më lehtë pas anëtarësimit. Është në duart e vendeve, individualisht, nëse do të kalojnë shpejt këto faza apo jo”, ka thënë Merkel, duke vënë theks të vecantë mbi sundimin e ligjit.

Marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor janë tensionuar kohët e fundit. Problemet ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës kërkojnë biseda të përbashkëta për zgjidhjen e tyre.

Për shkak të procesit që Mali i Zi ka nisur ndaj përpjekjeve për sulm terrorist në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit të kaluar, marrëdhëniet me Serbinë janë përshkallëzuar.

Në mesin e të akuzuarve ka ish-punonjës shërbimit sekret ushtarak dhe siç thuhet spiunë rusë.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë acaruar pas arrestimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Rezolutës së Kuvendit të Kuvendit që ndërpret dialogun me Serbinë deri në lirimin e tij.

Një tren i nisur nga Serbia në Kosovë, me ikonografi mesjetare nacionaliste ngriti tensionet për aq sa edhe paralajmërimet për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në Maqedoni ndërkaq po vazhdon kriza politike prej më shumë se dy vitesh që është përcjellë me protesta.

Takimi në Sarajevë mund të jetë një rast i mirë që kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes bisedimeve të shqyrtojnë mënyrat e tejkalimit të mospajtimeve. (REL)

XS
SM
MD
LG