Ndërlidhjet

Dorëzohet nisma për mbledhjen e Parlamentit, kryetar mund të bëhet një shqiptar


Macedonia -
Macedonia -

Kryetari në largim i Kuvendit Trajko Veljanoski, përmes një kumtese pë media ka njoftuar se ka pranuar 67 nënshkrimet e deputetëve të shumicës parlamentare që kërkonin vazhdimin e seancës konstituive dhe caktoi takim koordinues të grupeve parlamentare për mesditën e të martës.

Në njoftimin e kabinetit të Veljanoskit thuhet se në takimin koordinues duhet të vërtetohet përbërja e Komisionit për zgjedhje dhe emërime që do të shërbejë si bazë për caktimin e vazhdimit të seancës konstituive.

Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka deklaruar se pret formimin e shpejtë të qeverisë së re, megjithëse tha se i gjithë procesi duhet të kalojë përmes procedurave ligjore.

“E dini se punët nuk varen vetëm nga Zaev. Me gjasë nuk varen as nga ndonjë individ, por nga të gjithë ne politikanët bashkë. Unë do të doja edhe në datë 20, 21, 22 po edhe më herë të ketë Qeveri, por kjo nënkupton fillimisht caktimin e seancës, zgjedhjen e kreut të Kuvendit, kërkesë me shkrim deri te Ivanov dhe vendim nga ai se kur do të japë mandatin”, ka deklaruar Zaev.

Më herët gjatë ditës së premte, një nismë për vazhdimin e seancës konstituive të Parlamentit të Maqedonisë, në të cilën duhet të zgjidhet kryetari i Parlamentit, me nënshkrimet e 67 deputetëve të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët, e ka dorëzuar sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.

“Sot dorëzuam iniciativë konkrete në Parlamentin e Maqedonisë që të mos ketë mëtej dilema rreth shumicës parlamentare. Këtu sot dorëzuam 67 firma të deputetëve edhe përkundër asaj që rregullorja nuk kërkon një gjë të tillë që të vazhdojë seanca konstituive".

"Presim që Trajko Veljanoski menjëherë të thërras seancën konstituive të Parlamentit, që të fillojë të punojë Parlamenti si institucion shumë i rëndësishme në interes të shtetit. Hapi i parë do të jetë zgjedhja e kreut të Kuvendit. Hapi i parë i kreut të Kuvendit do të jetë që të heqë edhe argumentin e fundit të pakuptimtë të Ivanovit, i cili e ka për obligim që t’i japë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, për të formuar qeverinë e ardhshme“, tha për mediat Oliver Spasovski, deputet i LSDM-së.

Spasovski tha se pret që në një afat të shkurtë kohorë të thirret seanca bashkërenduese me të gjitha partitë për t’i shqyrtuar opsionet për kryetar të ardhshëm të Kuvendit.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Trajko Veljanovski nuk e thirrë seancën, ai tha se “çdokush duhet të jetë në shërbim të detyrës, të ketë përgjegjësi dhe të mos i mbajë peng institucionet”.

Nisma e deputetëve për të thirrur parlamentin është rezultat i konsultimeve disaditore ndërmjet partive parlamentare të cilat kanë formuar shumicën parlamentare prej 67 deputetëve përkatësisht Social Demokratëve dhe partive politike shqiptare.

Kundër kësaj shumice parlamentare e cila u arrit pas ujdisë për Ligjin për gjuhën shqipe, që garanton një shtirje më të gjerë në tërë territorin e Maqedonisë, për tre javë në Shkup, Iniciativa Qytetare "Për një Maqedoni të Përbashkët" në mbështetje të VMRO DPMNE-së, ka organizuar protesta.

Ndërkohë, nënkryetari i Bashkimit për Integrim, Izet Mexhiti, i tha Radios Evropa e Lirë se “kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, mund të jetë një shqiptar”, për herë të parë në Maqedoni.

Ai tha se “kryetari shqiptar i Parlamentit do të reflektojë karakterin multietnik të shtetit.

Sipas tij, Trajko Veljanovski si kryesues i mbledhjes së parë konstituive të parlamentit nuk ka asnjë arsye ta pengojë thirrjen e parlamentit në një afat sa më të shkutër kohor, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

“Mendoj se tanimë janë pjekur kushtet që edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, si një nga tre institucionet kyçe në shtet, të jetë shqiptar. Kjo është vënë edhe si kusht gjatë bisedimeve që kishim ne si BDI me VMRO DPMNE-në që dhe u absolvua. Nuk shoh asnjë problem që tani me LSDM të realizohej kjo kërkesë e jona. Drejtimi i parlamentit nga shqiptarët paraqet një moment të mirë për reflektimin e karakterit multietnik të shtetit”, thotë Mexhiti.

Ndryshe më 30 dhjetor, pas verifikimit të mandateve të deputetëve të cilët u zgjodhën në zgjedhjet e 11 dhjetorit, u ndërpre seanca parlamentare pa zgjedhur kryetarin e parlamentit që do t’i hapte rrugë zgjedhjes së Qeverisë së Maqedonisë.

Presidenti i Maqedonisë mbetet në qëndrimin që të mos i dorëzojë mandatin liderit të Social Demokratëve edhe kundrejt sigurimit të shumicës parlamentare prej 67 deputetëve me pretekstin se përkrahja e platformës shqiptare cenon karakterin unitar të shtetit. (REL)

XS
SM
MD
LG