Ndërlidhjet

Zvarritet zgjedhja e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë


Foto nga arkivi

Replikat dhe polemikat e shumta mes deputetëve të VMRO - DPMNE-së, e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, po zvarrisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë. Seanca konstitutive, nis me zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime. Formimi i këtij Komisioni, i hap rrugën zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit.

Deputeti i Lidhjes Social Demokrate, Oliver Spasovski ka theksuar se përmes një obstruksioni të këtillë synohet të bllokohet zgjedhja e kryetarit të parlamentit.

Ndërkaq, deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski ka theksuar se partia që përfaqëson do të përpiqet me të gjitha mënyrat demokratike për të penguar formimin e një shteti binacional, ngase siç ka thënë ai, rrezikon stabilitetin e vendit.

“Nuk është mire që të tentojmë të formojmë shtet binacional duke lënë nën hije shumicën e vullnetit të qytetarëve. Përvoja flet se shtetet binacionale nuk janë shtete të qëndrueshme. Ideja për shtet binacional mund të rrezikojë stabilitetin e shtetit. Kandidat për kryetar të Kuvendit nuk mund të jetë kriminel ose dikush që nuk ka integritet të refuzojë platforma të huaja”, ka thënë në foltoren e kuvendit deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Miloshoski.

Tutje ai ka thënë se duhet të respektohet vullneti i popullit dhe kryetari i Parlamentit të zgjidhet nga VMRO DPMNE, si parti e cila ka numrin më të madh të deputetëve.

Kurse, deputeti i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Petre Shilegov gjatë pauzës së punës së Parlamentit, tha se bllokimi i seancës konstituive përmes replikave dhe kundër replikave në mes deputete të VMRO DPMNE-së, është i pa logjikshëm. Aq më shumë se paraprakisht socialdemokratët u pajtuan që që kryetari i komisionit parlamentarë për zgjedhje dhe emërime të jetë pikërisht nga VMRO DPMNE.

“Ky komision aktualisht është i pavlefshëm, andaj edhe kemi dorëzuar iniciative me 20 deputete për zgjedhjen e kreut te Kuvendit, Talat Xhaferrin”, tha Shilegov.

Por, pas kësaj deputeti i VMRO DPMNE-së, Ilija Dimovski tha mbledhja ku do të shqyrtohet iniciativa për zgjedhjen e kryetarit parlamentarë me iniciativë të 20 deputetëve do të mund të shqyrtohet pasi të këtë përfunduar mbledhja e sotme pa precizuar se kur mund të përfundojnë replikat mes deputetëve të kësaj partie.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka vlerësuar se bllokimi i institucionit ligjdhënës nuk çon në drejtim të zgjidhjes së krizës.

“Nuk mendoj se zgjidhje më e mirë janë bllokadat. Të gjithë duhet të angazhohen dhe të kontribuojnë për debllokimin e situatës dhe zhvillimin e proceseve,” ka thënë Ahmeti para se të hyjë në parlamentin e Maqedonisë.

Ndërkaq deputeti i vetëm shqiptarë që ka folur në Parlament gjatë seancës së sotme ka qenë Xhevat Ademi nga Bashkimi Demokratik për integrim i cili ka nënvizuar se platforma e partive politike shqiptare në asnjë mënyrë nuk paraqet platformë të një shteti të huaj, por është një deklaratë e cila paraqet zërin e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Ju rikujtoj, t’i lexoni agjendat paraprake qeveritare dhe do të shihni se shumë elemente janë aty e që i ka edhe Platforma, duke filluar nga zyrtarizimi i gjuhës shqipe”, ka theksuar deputeti Xhevat Ademi.

Vazhdimi i seancës konstituive të parlamentit ndiqet nga një numër i madh i diplomatëve të huaj. (REL)

XS
SM
MD
LG