Ndërlidhjet

SHBA: Kryesuesi i Komitetit të Inteligjencës tërhiqet nga hetimi për Rusinë


Devin Nunes
Devin Nunes

Kryesuesi i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese, Devin Nunes, tha se përkohësisht tërhiqet nga roli i tij udhëheqës në hetimin e këtij komiteti për involvimin e dyshuar të Rusisë, në zgjedhjet presidenciale amerikane, në vitin 2016.

Zoti Nunes, republikan nga Kalifornia, tha sot se ai tërhiqet nga hetimi për shkak të ankesave për sjellje jopërkatëse, që janë bërë kundër tij nga Zyra Etike e Kongresit.

Ai thotë se ankesat janë false dhe të motivuara politikisht.

Udhëheqjen e komitetit gjatë hetimit për Rusinë, do ta marrë republikani, Mike Conaway, derisa Nunes do ta vazhdoj punën e tij në komitet.

Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese, Paul Ryan, tha se e mbështet vendimin e zotit Nunes, pasi çështjet etike “do të ishin shmangie” nga hetimi.

Devin Nunes është kritikuar ashpër për takime të fshehta me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe kjo i ka shtruar çështjet e paanshmërisë së tij gjatë hetimeve të administratës së presidentit, Donald Trump.

Kritikët, po ashtu, kishin vërejtje ndaj zotit Nunes pasi ai kishte luajtur rol kryesor në ekipin tranzitor të Trumpit.

XS
SM
MD
LG