Ndërlidhjet

Aleatët e mbështesin SHBA-në, derisa Rusia vazhdon ta kritikojë


Pamje nga sulmi i SHBA-së me raketa ndaj bazës ajrore siriane
Pamje nga sulmi i SHBA-së me raketa ndaj bazës ajrore siriane

Aleatët vazhdojnë t’i mbështesin Shtetet e Bashkuara, derisa Uashingtoni ka shprehur përkushtim për ta vazhduar presionin kundër Sirisë, pas sulmeve raketore në këtë vend të përfshirë nga lufta, derisa Rusia ka vazhduar ta dënojë operacionin duke e cilësuar si ilegal dhe “akt të agresionit” kundër një vendi të pavarur.

Derisa Rusia, Koreja Veriore dhe Irani, e kanë kritikuar ashpër presidentin amerikan, Donald Trump, për vendimin e tij për lansim të sulmeve raketore kundër një baze ajrore në Siri më 7 prill, shumë shtete kanë shprehur mbështetje për Shtetet e Bashkuara, për reagimin ndaj sulmit me armatim kimik nga ana e forcave të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, nga i cili janë vrarë dhjetëra meshkuj, femra dhe fëmijë.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, i cili e ka dënuar mbështetjen e vazhdueshme të Moskës për presidentin Assad, tha se e ka anuluar vizitën e tij në Moskë, e paraparë për 10 prill, pasi zhvillimet në Siri “në mënyrë fundamentale e kanë ndryshuar situatën”.

Agjencia zyrtare e lajmeve në Arabinë Saudite, ka raportuar se Mbreti Salman, vendi i të cilit është kundërshtar i fuqishëm i Assadit, gjatë një bisede telefonike e ka uruar presidentin Trump për “vendimin e tij të guximshëm” dhe për përgjigjen korrekte ndaj “krimeve të regjimit të Assadit ndaj popullit të vet, në dritën e dështimeve të bashkësisë ndërkombëtare për ta ndalur atë”.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, konsideron se sulmet raketore amerikane do të mbeten vetëm kozmetike, nëse Assadi nuk largohet nga Presidenca.

Turqia në mënyrë të fuqishme e ka mbështetur opozitën siriane në konfliktin gjashtëvjeçar në këtë vend.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i cili brenda disa ditëve pritet ta vizitojë Rusinë, tha se ishte i “zhgënjyer” nga reagimi i ashpër i Rusisë ndaj sulmeve raketore amerikane në Siri.

“Jam i zhgënjyer me atë përgjigje nga rusët, pasi indikon mbështetjen e tyre të vazhdueshme për regjimin e Assadit dhe veçanërisht, mbështetjen e tyre të vazhdueshme për regjimin që kryen këso lloje të sulmeve të tmerrshme kundër popullit të vet. Prandaj, e konsideroj se kjo është shumë zhgënjyese, por mjerisht, më duhet të them, kjo edhe nuk ishte aq befasuese”, u tha gazetarëve Tillerson.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sulmi kishte për qëllim ta ndëshkojë Sirinë për përdorim të armatimit kimik kundër civilëve.

Pentagoni tha se baza Shajrat, që ishte shkatërruar pjesërisht nga sulmi amerikan, ishte përdorë nga forca ajrore siriane për lansimin e gazit nervor në qytetin Kan Sheikoun, më 4 prill, duke i vrarë 86 vetë.

Agjencia Reuters e ka cituar admiralen e Marinës amerikane, Michelle Howard, e cila ka thënë se sulmet i kanë shkatërruar mjetet për lansim të armatimit kimik nga kjo bazë dhe se ushtria e Shteteve të Bashkuara është e gatshme për të ndërmarrë sulme të mëtejshme, nëse është e nevojshme.

Zyrtarë të administratës Trump kanë sinjalizuar sanksione të reja pas sulmeve raketore dhe se Pentagoni po e shqyrton situatën, për të parë nëse Rusia kishte rol në sulmin me armatim kimik, i cili i ka shtyrë Shtetet e Bashkuara për t’i lansuar 59 raketa speciale, në sulmin e vet të parë që ndonjëherë e ka ndërmarrë kundër regjimit të Assadit.

Agjencia TASS ka raportuar se sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, dhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, kanë folur me telefon për të diskutuar për situatën në Siri, pas sulmit.

“Sergei Lavrov ka theksuar se sulmi kundër një vendi, qeveria e të cilit e lufton terrorizmin, vetëm u ndihmon ekstremistëve dhe krijon kërcënime shtesë për sigurinë rajonale dhe globale”, ka raportuar TAS, duke e cituar Ministrinë e jashtme të Rusisë.

Lavrov, po ashtu me telefon, ka biseduar edhe me ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, me ç’rast është shprehur se arsyetimi amerikan për sulme ishte “jobindës” dhe “i pavërtetë”, raporton TASS.

Koreja Veriore e ka dënuar sulmin ajror amerikan në Siri si “një akt i pafalshëm i agresionit”, që tregon se vendimi për zhvillim të armatimit atomik i Phenianit ishte “zgjedhje e drejtë me miliona herë”.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka kërkuar hetim të pavarur për sulmin kimik në Siri.

“Ne kërkojmë që të krijohet një organ ndërkombëtar për gjetje të fakteve dhe të zbulohet se prej nga kanë ardhur këto sulme kimike”, tha Rohani, derisa e ka dënuar sulmin raketor amerikan, duke e cilësuar si “agresion”.

Irani është aleati kryesor rajonal i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG