Ndërlidhjet

Turqia përgatitet për referendumin për ndryshimet kushtetuese


Të shtunën është dita e fundit e fushatës për referendumin për rritjen e pushtetit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan është paraparë që të mbajë katër tubime në Stamboll, përpara se fushata për referendum të përfundojë në orën 18:00, sipas kohës lokale.

Zyrtarët nga partia e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), gjithashtu do të mbajnë tubime, gjatë orëve të fundit të fushatës.

Referendumi i 16 prillit po organizohet, teksa shteti është në gjendje të jashtëzakonshme, që është shpallur pas grushtshtetit të dështuar në korrikun e vitit të kaluar. Që atëherë, dhjetëra mijëra persona janë arrestuar, përfshirë dhjetëra gazetarë dhe disa media janë mbyllur.

Kundërshtarët e referendumit janë penguar, duke ju kufizuar aktivitetet e tyre në mediat që favorizojnë Erdoganin. Kështu ka thënë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Një një raport të fundit të OSBE-së, thuhet se gjatë javëve të fundit, “disa politikanë dhe shërbyes civilë, përfshirë presidentin, kryeministrin dhe zëvendësprokurorin publik të Antalisë, kanë barazuar fushatën për votën ‘Jo’ në referendum dhe votuesit që nuk përkrahin ndryshimet kushtetuese, me organizatat terroriste”.

Erdogan ka hedhur poshtë gjetjet e këtij raporti.

“Tash ata (zyrtarët e OSBE-së), thonë se nëse në referendumin në Turqi fiton vota ‘po’, do të thotë se do të ketë shumë probleme. Kush janë ata (zyrtarët e OSBE-së)? Pikë së pari, ju duhet ta dini vendin tuaj. Kjo nuk është detyra juaj. Ju nuk mund të thoni se çfarë do të ndodhë nëse rezultati është Po ose Jo”, ka thënë Erdogan më 14 prill , gjatë një tubimi në Konya.

Përderisa Erdogan dhe mbështetësit e tij thonë se me ndryshimet kushtetuese, pra, ndryshimi i sistemit politik, do të përmirësojë demokracinë dhe stabilitetin, kundërshtarët kanë paralajmëruar se një gjë e tillë do të prishë balancën dhe do t’i jap më shumë pushtet zyrës së presidentit.

Lideri opozitar turk, i partisë sekulariste, Partia Popullore Republikane, Kemal Kilicdaroglu, ka bërë thirrje për mbrojtjen e republikës.

“Le ta mbrojmë së bashku republikën. Të mos lëshohemi në aventuara dhe ta shkatërrojmë republikën tonë. Të mos luajmë bixhoz me atë ardhmën e fëmijëve tanë. Të mos e sakrifikojmë mundësinë e barabartë, barazinë e drejtësisë dhe të drejtën tonë që t’i mbajmë përgjegjës autoritetet”, ka thënë ai.

Sondazhet tregojnë se do të jetë një garë e ngushtë në mes të përpjekjeve të Erdoganit për të zhvendosur Turqinë nga një sistem paralamentar, në një sistem të centralizuar presidencial. Kampi për votën “Po” në referendum, besohet se ka një avantazh, por fushata shpesh është polizuar dhe ka qenë e mbushur me tensione.

Më 14 prill, Erdogan i tha televizionit shtetëror TRT se pas referendumit, ai dhe qeveria e tij, do të shqyrtojnë të ardhmen e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Evropës.

Presidenti turk ka thënë se Turqia, që është kandidate që një kohë të gjatë që t’i bashkohet Bashkimit Evropian, padrejtësisht është lënë jashtë bllokut.

Gjatë fushatës për rerefendum tensionet u rritën mes Turqisë dhe Evropës, veçanërisht Gjermanisë dhe Holandës. Erdogan i ka quajtur veprimet e disa liderëve perëndimor, si tillë si kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrit holandez Mark Rutte si veprime “fashiste”, dhe i ka akuzuar ata për sjellje “naziste”, pasi Gjermani dhe Holanda ndaluan disa tubime për referendum të qeveritarëve të Turqisë.

Erdogan është në krye të Turqisë që prej vitit 2003, një herë si kryeministër dhe që nga viti 2014, si president. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG