Ndërlidhjet

Ivanov kërcënon Zaevin! LSDM: Presidenti flet me gojën e Gruevskit


Zoran Zaev dhe Gjorge Ivanov, fotografi nga arkivi
Zoran Zaev dhe Gjorge Ivanov, fotografi nga arkivi

Lidhja social-demokrate vlerëson se presidenti maqedonas Gjorge Ivanov vazhdon me lojërat e rrezikshme të orkestruar nga VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, që mund të thellojnë edhe më shumë krizën në vend.

Deklarata e presidentit se lideri opozitar, Zoran Zaev ka hyrë në lojëra të rrezikshme dhe se mund të përfundojë në burg lidhur me bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, sipas LSDM-së, dëshmon qartë se kreu i shtetit vazhdon të jetë në shërbim të Nikolla Gruevskit.

Presidenti Ivanov edhe njëherë dëshmoi se është vetëm se shërbëtor i Gruevskit dhe familjes së tij. Edhe njëherë ai nuk foli me gojën e tij por më gojën e Gruevskit dhe Mijallkovit. Ai nuk ka forcë as të kërcënojë e as të dëmtojë dikë. Kjo tregon se qëllimi i tij vazhdon të jetë destruktiv dhe në shërbim të VRMO DPMNE-së”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, duke shtuar se prononcimet e tilla të Ivanovit dhe kritikat e tij në adresë të bashkësisë ndërkombëtare, nuk janë gjë tjetër vetëm se përpjekje e tij dhe e Gruevskit për t'i ikur përgjegjësisë nga shkeljet që kanë bërë.

Ata vazhdojnë me avazin e vjetër dhe të gjithë u kanë faj. Ata vazhdojnë të kërkojnë fajtorë kujdestar. Në këtë rast, sipas tyre, ata janë faktori ndërkombëtar dhe subjektet politike shqiptare. Ata nuk kanë rrugëdalje dhe e dinë se nuk mund t'i ikin drejtësisë. Për të gjithë këto obstruksione dhe shkelje të Kushtetutës sigurisht se edhe Ivanovi së bashku me Gruevskin një ditë do të japin llogari”, thotë Zeqiri.

Presidenti Ivanov, në intervistën për gazetën austriake Wienner Zeitung, gjithashtu ka shprehur kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila sipas tij, “përmes një telefonate ka prishur në momentin e fundit koalicionin VMRO-BDI”, e në anën tjetër nuk ka dënuar siç thotë “platformën shqiptare”.

“BE-ja dhe SHBA-të u kyçën për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza, mirëpo ata nuk i dënuan shkaktarët e kësaj krize e që janë Edi Rama me politikanët shqiptarë. Sot, jemi në krizë institucionale e nxitur nga Platforma e Tiranës”, ka deklaruar Ivanov.

Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë mohuar që koalicioni të ketë qenë gati me VMRO-në, ndërsa akuzojnë Ivanovin për nxitje të krizës ndëretnike.

Koalicioni me VMRO-në nuk u bë sepse ashtu vendosi Ali Ahmeti dhe sepse ashtu deshën shqiptarët. Tek kryetari Ahmeti dhe BDI-ja nuk ka patur asnjë ndërhyrje, as vendore, as të huaj e as fqinjësore, por ngadhënjeu përcaktimi jonë për barazi, reforma, sundim të së drejtës dhe integrim në NATO dhe BE që ishin të papërputhshme me VMRO-në. Befasohemi që akoma ka njerëz në Maqedoni që i besojnë Ivanovit dhe insinuatave të tij përrallore. Ivanov përveç se po nxit krizë ndëretnike të paqenë dhe bllokadë institucionale, tash ka filluar edhe të shpifës infantil duke u bërë për keqardhje”, thuhet në reagimin e Bashkimit Demokrati për Integrim.

Duke komentuar qëndrimet e fundit të presidentit Ivanov, njohësit e çështjeve politike, thonë se kreu i shtetit është tani më se e qartë se punon për agjendën e VMRO-së së Gruevskit, e cila edhe e ka zgjedhur për president.

Ai favorizon bashkëpartiakët e tij dhe këtë që ai e bën nuk e ngjanë një shteti demokratik. Ai bën ndarje në shoqëri, ndanë qytetarët, vendoset mbi institucionet duke prejudikuar ngjarje të caktuara, para se gjithash para liderëve politik. Të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, por nuk është presidenti ai që duhet të jap verdiktin pasi ka institucion të cilave u takon të marren me çfarë do qoftë shkelje ligjore”, thotë Jove Kekenovski, njohës i çështjeve politike dhe ish anëtar i VMRO DPMNE-së.

Sipas tij, deklarata e presidentit nxjerr në sipërfaqe edhe dyfytyrësinë e VMRO-së e cila në njërën anë kundërshton koalicionin e LSDM-së me partitë shqiptare gjoja për shkak të platformës shqiptare e në anën tjetër nxjerr një të vërtetë tjera se pikërisht VMRO-ja ka pranuar këtë deklaratë.

Kjo tregon një gënjeshtër të madhe të VMRO-së pasi e ashtuquajtura platforma e Tiranës të cilët ata e quajnë ashtu, në fakt VMRO-ja edhe e ka pranuar dhe sikur të mos ishte telefonata e fundit siç thotë Ivanovi, ajo edhe do të realizohej”, thotë Kekenovski.

Ndryshe, edhe katër muaj nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, Maqedonia është pa qeveri të re pikërisht për shkak të kundërshtimit të presidentit Gjorge Ivanov që të mandatojë për kryeministër liderin social-demokrat, Zoran Zaev të cilin e akuzon për siç thotë, rrënimin e shtetit unitar me dakordimin për koalicion me partitë shqiptare të cilat janë bashkuar rreth deklaratës që parasheh avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. (REL)

XS
SM
MD
LG