Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

BDI thotë se zgjidhja e krizës është në duart e LSDM-së dhe VMRO-së


Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti

Shumica parlamentare në Maqedoni e përbërë nga social-demokratët e Zoran Zaevit dhe dy partitë shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, përkundër deklarimeve thuajse të përditshme për emërimin e kryetarit të Kuvendit, ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret.

Nga ana tjetër, VMRO-ja e Nikolla Gruevskit mbetet në qëndrimin se me të gjitha forcat e mundshme do të kundërshtojë zgjedhjen e kryeparlamentarit për shkak të, siç thotë, platformës shqiptare me të cilën pretendon se rrënohet karakteri unitar i shtetit.

Në fakt, edhe debati i dy ditëve të fundit parlamentar po zhvillohet në këtë frymë me akuza nga më të ndryshmet ashtu siç u përcoll edhe javën e kaluar, para festës së Pashkëve.

Kjo platformë, që tani po na imponohet, do të thotë ndryshim i plotë i marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton edhe ndryshimin e Kushtetutës së vendit dhe rrënimin e karakterit unitar të shtetit”, ka deklaruar deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski, i cili thuajse në çdo seancë përsërit të njëjtin qëndrim.

Pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga deputetët e Lidhjes Social-Demokrate.

Nuk ka asnjë platformë, kjo që ju pretendoni nuk ka asnjë të përbashkët me realitetin. Në fakt, ishte lideri i juaj Gruevski që diskutoi pikërisht mbi bazën e kësaj platforme, por nuk arriti të formojë Qeverinë. Platforma e vetme e shumicës së re është programi mbi punën e Qeverisë”, është kundërpërgjigjur deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.

Partitë shqiptare kryesisht janë të përmbajtura dhe rrallë paraqiten me fjalime. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha të martën se problemi duhet të zgjidhet mes dy partive maqedonase meqë sipas tij, BDI-ja ka kryer pjesën e saj të përgjegjësisë.

Përgjegjësia kryesore tani bie mbi dy partitë politike më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO, që ato të kapërcejnë veten dhe para tyre të vendosin interesat shtetërore. Bashkimi Demokratik për Integrim i ka bërë të gjitha veprimet e duhura që janë kërkuar dhe nuk çfarë të bëjë më tepër. Pra, vlerësoj se kjo më tepër varet nga mirëkuptimi që duhet të gjejnë dy partitë politike maqedonase. Zgjedhjet e parakohshme nuk i shohim si zgjidhje së gjendjes në të cilën ndodhemi”, ka deklaruar Ahmeti.

Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se përgjegjësia është e të gjitha partive të shumicës së re, të cilat duhet të marrin masa për kapërcimin e shpejtë të krizës.

Ata e kanë obligim kushtetues të formojnë institucionet e këtij shteti. Ata duhet të përfundojnë procesin e konstituimit të Kuvendit. Po ashtu me procedura parlamentare në bazë të rregullores dhe Kushtetutës, duhet të propozohet dhe të votohet Qeveria e re. Vlerësoj se shumica parlamentare i ka të gjithë mekanizmat juridikë që të formojë Qeverinë, por mungon vullneti, pra duhet të ketë një guxim më të madh për kapërcimin e krizës”, thotë profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti.

Konstituimi i institucioneve po kërkohet në vazhdimësi edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Ish shefi i diplomacisë suedeze, Carl Bildt, të martën, apeloi për respektimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e organeve të reja shtetërore. Paraprakisht këtë e kanë kërkuar edhe përfaqësues të tjerë të BE-së dhe SHBA-së. (REL)

XS
SM
MD
LG