Ndërlidhjet

Kryeprokurori thotë se po luftohet korrupsioni në nivel të lartë, shoqëria civile hedh dyshime


Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi
Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi tha, të enjten, se Prokuroria e Shtetit gjatë vitit të kaluar ka trajtuar 35 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë dhe për 26 nga to ka ngritur aktakuza.

Ai tha se lëndët e tjera janë në fazën e hetimeve.

Në këtë drejtim kemi hetuar dhe ngritur akuza për herë të parë për ministra në detyrë, ish-ministra, deputetë, kryetarë të komunave, ish-kryetarë të komunave, kryetarë të gjykatave, prokurorë, policë dhe shumë zyrtarë të tjerë publikë”, tha Lumezi në një konferencë me gazetarë.

Kryeprokurori i Kosovës, tha se institucioni që drejton ka hetuar edhe përfaqësues të partive politike pavarësisht, siç tha, për ‘rolit të tyre në shoqëri’

Prokuroria e Shtetit, nuk bazohet në asnjë program të subjekteve politike dhe partive politike. Këtë e kemi treguar edhe me veprime konkrete, kemi persona që janë hetuar dhe akuzuar nga të gjitha subjektet politike, pavarësisht fuqisë dhe rolit të tyre në shoqëri”, tha kryeprokurori Lumezi.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se duke marrë parasysh perceptimet e shoqërisë për nivel të lartë të korrupsionit dhe raporteve ndërkombëtare për këtë dukuri, numri i të akuzuarve të personave të nivelit të lartë është jashtëzakonisht i vogël.

Arton Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, ndërkaq thotë se Prokuroria megjithatë ngritë aktakuza, por shumë pak njerëz po e vuajnë dënimin më burg.

Ne nuk po shohim që dikush që është akuzuar për vepra të rënda korruptive ose për krim të organizuar po përfundon me një epilog që po dënohet me burg”.

Kryeprokurori i Kosovës dha edhe shënime të tjera në konferencën me gazetarë, duke thënë se gjatë vitit 2016 ‘Prokuroria e Shtetit ka bërë edhe sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar më vepër penale”.

Të dhënat statistikore bëjnë me dije, se gjatë vitit 2016 janë sekuestruar rreth 60 milionë të pasurisë se fituar në mënyrë të kundërligjshme dhe mëse një milion e 200 mijë euro është konfiskuar pasuria”, tha Lumezi.

Por, Demhasaj nga organizata Çohu, shprehet se në Kosovë ka shumë zyrtarë të lartë, të cilët janë pasuruar në mënyrë joligjore.

Ka zyrtarë të lartë që pasuria e tyre kalon milionëshin, kurse të hyrat e tyre nuk janë më tepër se 30 mijë euro në vit dhe kjo automatikisht krijon dyshim se si ata kanë mundur të krijojnë gjithë pasurinë. E në raste të tilla, nuk kemi asnjë rast të dëshmohet se Prokuroria ka bërë diçka në këtë drejtim”, ka thënë Demhasaj.

Megjithëkëtë, Kryeprokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi ka bërë me dije se gjatë vitit të kaluar prokurorët e shtetit kanë zgjidhur me mijëra dosje penale që kanë pasur në fokus veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës.

Sipas tij prokurorët gjatë vitit 2016 kanë zgjidhur mbi 63 mijë lëndë të natyrave të ndryshme, që krahasuar me vitin 2015, shënon një rritje të lëndëve të zgjidhura prej mbi 20 mijë syresh. (REL)

XS
SM
MD
LG