Ndërlidhjet

Analistët: Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, të formohet qeveria


Protestuesit që u futën me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë.

Dhuna ndaj deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë nga protestuesit të cilët të enjten në mbrëmje për disa orë pushtuan institucionin ligjvënës vërteton kërcënimet e vazhdueshme të strukturave të VMRO-së dhe të presidentit Gjorge Ivanov se me të gjitha format e mundshme do të pamundësojnë konstituimin e organeve të reja nga shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM-ja e Zoran Zaevit.

Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike. Por, pavarësisht kësaj, Nano Ruzhin, ish diplomat dhe rektor i Universitetit Fon, thotë se njohja e kryeparlamentarit të ri Talat Xhaferi nga shumë shtete me relevancë ndërkombëtare si nga SHBA-të përmes ambasadës amerikane në Shkup, por edhe zyrtarëve të lartë të BE-së, dëshmon se Gruevski po e humb mbështetjen dhe pushtetin të cilët refuzon ta dorëzojë duke u thirrur në atë të njihet si “Platformë e Tiranës”.

"Njohja e legjitimitetit në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi është një sinjal shumë i fuqishëm që hap mundësi të reja për zgjidhjen e krizës, përkatësisht për zgjedhjen e një qeverie të orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe Aleancës Veriatlantike”, thotë Nano Ruzhin.

Në këtë kuadër, Pero Dimshoski, ish zyrtar i lartë në sekretariatin për çështje evropiane thekson nevojën e vazhdimit të konstituimit të organeve të reja. Ai thotë se pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryeparlamentar, duhet të pasojë akti tjetër i zgjedhjes së qeverisë së re.

“Kryetari i ri i Kuvendit u zgjodh publikisht dhe të gjithë ne e pamë procesin e votimit të tij nga shumica parlamentare duke respektuar të gjitha procedurat që i takon partive që kanë shumicën në institucionin ligjvënës. Por, ky proces nuk duhet të ndalet këtu. Kjo shumicë duhet të ndërmerr edhe hapat tjerë të zgjedhjes edhe të qeverisë pavarësisht kundërshtimeve të VMRO-së. Është e qartë se Nikolla Gruevski nuk do të pranojë këtë, por zgjidhje tjetër nuk ekziston përveç konstituivit të organeve të reja, në pajtim me koalicionet mes partive që kanë numrar e nevojshëm”, thotë Dimshovski.

Por, nga ana tjetër, Aljadin Demiri, njohës i çështjeve politike thotë se Nikolla Gruevskit dhe grupi rreth tij nuk do të tërhiqen dhe sipas tij mund të ketë spirale të re të dhunës.

“Struktura paramilitare dhe militare të VMRO-së të udhëhequra nga Ivanov dhe Gruevski, qëllimin e kanë të mos lejojnë formimin e qeverisë dhe unë mendoj se kështu do të vazhdojnë. Fakti që ata tani kanë rrethuar Kuvendin tregon se dhuna ende nuk ka përfunduar dhe se mund të ketë vazhdime. Fakti që policia u vu në mbrojtje të protestuesve tregon se skenari i tyre nuk ka përfunduar dhe se do të vazhdojnë me format që do të jenë të dhunshme”, thotë Demiri.

Analistët theksojnë nevojën e ndërhyrjes edhe më të fuqishme për zgjidhjen e krizës nga jashtë në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet nga skenar të mundshëm destabilizues që kanë ndodhur edhe më parë në Maqedoni. (REL)

XS
SM
MD
LG