Ndërlidhjet

Hoyt Yee përkrahje kryeparlamentarit Xhaferi, kërkon krijimin e qeverisë së re


Hoyt Brian Yee në deklarim përpara mediave në Shkup

“Në Shkup kam ardhur që t`i jap mbështejen e qartë kryetarit të ri të Parlamentit të Maqedonisë” tha zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, pas takimeve 'maratone' që ka realizuar përgjatë dy ditëve në Shkup.

Fillimisht, të dielën, ai u takua me liderët e partive politike shqiptare, ndërkaq të hënën më 1 Maj takoi presidentin e Maqedonisë, kryetarin e ri të Parlamentit dhe liderët e partive politike parlamentare.

Diplomati amerikan i ka cilësuar si shumë alamuese ngjarjet e dhunshme të cilat ndodhën të enjten në Parlamentin e Maqedonisë.

“Më alarmues nga të gjitha ndodhitë është incidenti në Parlament javën e kaluar kur pjesëtarë të Parlamentit në mënyrë të dhunshme dhe frikacake u sulmuan. Inkurajojmë institucionet që të hetojnë dhe ndëshkojnë ata që i bënë këto vepra” ka nënvizuar Yee

Yee ka porositur qartë se debati politik duhet të realizohet brenda Parlamentit të Maqedonisë dhe të gjitha shqetësimet duhet të shtrohen po në këtë institucion.

“Me fjalë të tjera nëse shumica parlamentare është pro Xhaferit, atyre duhet t’u mundësohet që ta zgjedhin për kryetar të Parlamentit. Nëse ekziston ndonjë shqetësim rreth programit të Xhaferit, ose rreth asaj se si e bën punën ai si kryeparlamentar në Parlamentin e Maqedonisë, atëherë deputetët kanë të drejtë që këtë çështje ta ngrejnë po në Parlament” tha Yee.

Sipas tij me rëndësi shumë të veçantë është gjetja e mënyrës që shumica parlamentare të propozojë qeveri dhe program qeveritar dhe me këtë sa më parë të bëhet transferimi i qetë i pushtetit.

“Besoj se me rëndësi të veçantë është që liderët politikë ta kuptojnë seriozitetin e gjendjes dhe që të gjejnë zgjidhje për krizën politike. Të gjejnë mënyrë që të lejojnë që shumica parlamentare të formojë Qeverinë dhe programin qeveritar. E dimë se ka shqetësime rreth programit qeveritar, por për atë duhet të debatohet dhe ai të votohet në Kuvend, jo jashtë tij".

"Zgjidhja e vetme e krizës është formimi i Qeverisë. Nuk shohim arsye që shumica parlamentare të mos fitojë shansë për formimin e Qeverisë. Vendi duhet të rimëkëmbet për të mirën e të gjithëve. Është koha që kriza të mbarojë.”, ka theksuar zëvendësndihmës sekretari amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee.

Ai tha se nga përfaqësuesit e forcave politike parlamentare, me të cilët është takuar, ka marrë konfirmimin se do të angazhohen për respektimin e proceseve demokratike.

Diplomati amerikan tha se i vjen keq që Maqedonia si shtet tanimë një kohë të gjatë si pasojë e krizës politike po ngec në rrugëtimin drejt integrimeve eurotalantike duke theksuar se në këtë proces do ta ketë mbështetjen e SHBA-së.

XS
SM
MD
LG