Ndërlidhjet

Xhaferi: Ivanov ta mandatojë Zaevin për kryeministër


Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka njoftuar presidentin Gjorge Ivanov se pas formimit të shumicës së re parlamentare dhe zgjedhjes së tij për kryetar, janë plotësuar të gjitha kushtet për mandatimin e Zoran Zaevit për kryeministër.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi, sot e ka njoftuar presidentin e shtetit Gjorge Ivanov se është formuar shumica parlamentare dhe është zgjedhur kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, theksohet në komunikatën me shkrim të kabinetit të Xhaferit.

Ndëkrohë, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, beson se presidenti kësaj radhe nuk do ta shkel Kushtetutën dhe do t’i japë atij mandatin për formimin e qeverisë së re. Ai hodhi poshtë pretendimet e kreut të shtetit se shumica e re parlamentare rrezikon të ardhmen e vendit.

“Jam i gatshëm që të vizitojë presidentin Ivanov. Do t’i ftojmë edhe partnerët e koalicionit nëse duan të na bashkohen dhe me Ivanovin të bisedojmë për karakterin unitar të shtetit, NATO-n, BE-në, multietnicitetin, pra për të gjitha ato çështje që brengosin Ivanovin. E gjithë kjo do të ishte në funksion që sa më parë të marrim mandatin dhe të formojmë kabinetin e ri qeveritar”, ka deklaruar Zaev.

Kreu i LSDM-së tha se beson se deri në fund të muajit mund të formohet qeveria e re, por se gjithçka varet nga Ivanovi nëse do t’i japë mandatin.

Nga kabineti i presidentit nuk kanë komentuar as letrën e kryeparlamentarit Xhaferi e as prononcimin e liderit të LSDM-së.

Zaev pas ngjarjeve të dhunshme në Kuvend kishte deklaruar se qeveria e re do të formohet pavarësisht nëse do t’i jepet ose jo mandati nga presidenti Ivanov.

“Do të presim dhjetë ditë, aq sa parashikon ligji. Nëse Ivanov nuk e dorëzon mandatin do të veprojmë njëjtë si në rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit”, pati deklaruar Zaev.

VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit nuk e ka komentuar kërkesën e Talat Xhaferit, por as zhvillimet tjera ndërsa kanë përgënjeshtruar njoftimet në opinion për, siç thuhet, “përçarjet e brendshme me kërkesa për dorëheqjen e Gruevskit”. (REL)

XS
SM
MD
LG