Ndërlidhjet

Maqedoni: Pushteti lokal para bllokimit, kërkohet zgjidhje


Shkup (Foto nga arkivi)
Shkup (Foto nga arkivi)

Në Kuvendin e Maqedonisë të hënën partitë duhet të vendosin për datën e re të zgjedhjeve lokale - një problem ky që paraqitet krahas pengesave për formimin e Qeverisë së re.

Në fakt, më 15 maj skadon mandati katërvjeçar i 80 kryetarëve të komunave, dhjetë nga të cilët përbëjnë Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin muajin e kaluar, por për shkak të krizës politike lidhur me Qeverinë e re dhe mos-konstituimin e Kuvendit, nuk u arrit që ato të shpalleshin në afatin e paraparë. Kryetarët e grupeve parlamentare në një takim të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, pritet të vendosin mbi ndryshimet e nevojshme për shtyrjen e zgjedhjeve dhe zhbllokimin e punës së komunave, që do të pasojë pas skadimit të mandatit të tyre në mesnatën e ditës së hënë.

Kryetari i bashkësisë së Komunave, Koce Trajanovski, në një paraqitjen para medieve tha se mosgjetja eventuale e zgjidhjes do të bllokonte tërë pushtetin lokal me pasoja të rënda për qytetarët e tyre.

“Në rast se nuk gjendet zgjidhje, pas kësaj date Këshilli Komunal nuk do të ketë të drejtë të miratojë vendime, e as kryetari i komunës nuk do të ketë të drejtë të kryejë detyrimet e tij që ia garanton Ligji për pushtetin lokal. Pasojat do të jenë të mëdha për qytetarët dhe punonjësit që paguhen nga komunat".

"Nuk do të mund të jepen leje ndërtimi, rreth pesë mijë të punësuar në pushtetin lokal nuk do të mund të marrin pagat mujore. Kjo vlen edhe për mbi 10 mijë të punësuarit në ndërmarrjet publike sikur edhe më shumë se 30 mijë të punësuar në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm. Qytetarët nuk do të ketë mundësi të marrin shërbimet e tyre në komuna, ndërsa nuk do të ketë as transport publik”, tha Trajanovski, duke i bërë thirrje Kuvendit që të gjejë zgjidhje për fatin e pushtetit lokal.

Zgjidhja e problemit duhet kërkuar në ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet me anulimin apo ndryshimin e dy neneve që kufizojnë mandatin e kryetarëve të komunave. Një zgjidhje e tillë ishte kërkuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, por përgjigja e saj ishte negative, meqë në arsyetim thuhet se ajo nuk është kompetente të miratojë vendime të tilla që janë në kompetencë të institucionit ligjvënës.

Nga VMRO DPMNE-ja, ndërkohë, kanë dalë me disa propozime për mbajtjen e zgjedhjeve, madje 45 ditë pas miratimit eventual të ndryshimeve nga Kuvendi. Kryetari i kësaj partie, Nikolla Gruevski, tha se LSDM-ja nuk guxon t'i ikë përgjegjësisë, por sa më parë duhet të përballet me popullin në zgjedhje.

“Qëndrimi i VMRO DPMNE-së është që një ditë e më parë duhet të organizohen zgjedhjet lokale. Afati më i afërt për këtë është 45 ditë pasi të jetë rregulluar kjo me ndryshimet e mundshme në Kuvend. Kjo datë mund të jetë 2 korriku për rrethin e parë dhe 16 korriku për rrethin e dytë. Por, meqë nga pala tjetër e sheh se ka frikë nga zgjedhjet, atëherë ne propozojmë edhe dy data tjera, që janë 17 shtatori dhe më së voni 15 tetori”, deklaroi Gruevksi.

Por, nga LSDM-ja përmes një komunikate kanë kritikuar qëndrimin e VMRO-së duke thënë se partia e Gruevskit vepron me zgjedhjet sikur ato të jenë lojëra fati.

“Ne vlerësojmë se ankandi me data të zgjedhjeve lokale u ngjan lojërave të fatit, është veprim joserioz që askund nuk çon. Komunat duhet të vazhdojnë të funksionojnë dhe qytetarëve duhet t'u mundësohet të kenë institucione funksionale dhe të pavarura. Këtë do ta mundësojë qeveria e re reformatore. Çdo bllokim i proceseve demokratike është në dëm të interesave të qytetarëve dhe të shtetit, në përgjegjësi. Këtë VMRO DPMNE-ja duhet ta kuptojë dhe të sillet me përgjegjësi ndaj qytetarëve të këtij shteti”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.

Nevzat Bejta, kryetar i Komunës së Gostivarit dhe nënkryetar i Bashkësisë së komunave, beson se nuk do të ketë problem në shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të përfundimit të mbledhjes konstitutive të Kuvendit. Ai tha se partitë do të merren vesh të paktën për ndryshimet që duhet bërë për vazhdimin e mandatit të kryetarëve komunalë.

“Tani e kemi situatën më të qartë dhe ne do t’i drejtohemi kryetarit të Kuvendit, të cilit ia mundëson ligji të shpallë zgjedhjet në bashkëpunim me liderët e partive politike të caktohet një datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Besoj se kjo edhe do të ndodhë”, tha Bejta, duke shtuar se një vendim i tillë është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pasi, sipas tij, vendi më së paku ka tani nevojë që të hyjë edhe në një krizë të re që do ta desbabilizonte edhe më shumë gjendjen.(REL)

XS
SM
MD
LG