Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimet te Turqia, pasi pjesëtarë të sigurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, u përleshën me protestues në Uashington.
"Dhuna nuk është kurrë përgjigje e përshtatshme ndaj fjalës së lirë. Ne e mbështesim të drejtën e njerëzve kudo, për shprehje të lirë dhe protestë paqësore", tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.
Erdogan ka qenë në Uashington më 16 maj, për bisedime me presidentin Donald Trump, por vizita e tij u përshkua me dhunë midis truprojeve të tij dhe demonstruesve pro-kurdë.
Dëshmitarët thanë se truprojet turke shtynë kordonin e policisë jashtë rezidencës së ambasadorit turk në Uashington dhe sulmuan protestuesit me grushte dhe këmbë.
Një zëdhënës i policisë e përshkroi ngjarjen si "sulm brutal mbi një protestë paqësore".
Dy të dyshuar u arrestuan në vendngjarje dhe 11 veta u lënduan.