Ndërlidhjet

Marrëveshja Rama-Basha, takime për detajet


Kryeministri Edi Rama me kreun e opozites Lulzim Basha
Kryeministri Edi Rama me kreun e opozites Lulzim Basha

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha u takuan sërish sot, këtë herë, ashtu sic dhe kishin paralajmëruar, për të detajuar marrëveshjen e arritur pas mesnatës së mbrëmshme. Të dy drejtuesit kryesorë politik janë shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre, ekspertë të çështjeve ligjore, Engjëll Agaçi, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe Oerd Bylykbashi, deputet demokrat.

Për marrëveshjen e arritur, dihet vetëm ajo çka zoti Basha deklaroi mbrëmë pas takimit kokë më kokë me zotin Rama, se ajo ka në bazë të ashtuquajtuarën “Platformë McAllister Plus” e cila iu ofrua si zgjidhje të hënën e kaluar në Tiranë, nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, në përpjekje për të mundësuar përfshirjen e partive opozitare në procesin zgjedhor. Zoti Rama nga ana e tij u mjaftua të deklaronte se ishte “plotësisht dakort me pohimet e kreut të opozitës”.

Të dy drejtuesit politikë i janë përmbajtur qëndrimit për të mos bërë asgjë publike deri në përmbylljen e të gjithë aspekteve teknike dhe ligjore të nevojshme për vënien në jetë të paktit. Dhe për diskutimet e sotme gjithashtu nuk ka rrjedhur asnjë informacion. E panjohur mbetet edhe data e zgjedhjeve, e cila sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë më 18 qershori.

Marrëveshja e arritur mes palëve, pas një periudhe tremujore tensioni të fortë, u përshëndet nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. “Bravo popullit shqiptar për durimin dhe besimin e tij tek forca e demokracisë së Shqipërisë. Bravo Edi Ramën dhe Lulzim Bashës për udhëheqësin dhe kurajon personale në farkëtimin e kësaj marrëveshje.Bravo kolegëve nga Bashkimi Europian, OSBE dhe Uashingtoni për mbështetjen e tyre të palëkundur për Shqipërinë. Presim me kënaqësi e padurim zgjedhjet me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në Shqipëri”, thekson në mesazhin e tij ambasadori amerikan Donald Lu, diplomati i cili ka patur një rol të dorës së parë në arritjen e një pakti mes palëve.

"Urime për marrëveshjen e arritur për zgjedhje të lira dhe të ndershme të cilat janë në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë", shkruhet në postimin në Twitter të Delegacionit të Bashkimit Europian. Urimeve I është bashkuar edhe Prezenca e OSBE-së, e cila shprehet “e gatshme të mbështesë fort Reformën Zgjedhore për zgjedhje të lira e të ndershme”.

*Ky artikull fillimisht u publikua në VOA në shqip

XS
SM
MD
LG