Ndërlidhjet

Trump kritikon marrëveshjen bërthamore me Iranin


Tel Aviv, 22 maj 2017.
Tel Aviv, 22 maj 2017.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump gjatë takimit me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar marrëveshjen e “tmerrshme” bërthamore të nënshkruar me Iranin, dhe tha se Irani duhet të ndërpresë mbështetjen për “terroristët dhe milicinë”, dhe “kurrë” nuk duhet të posedojë armë bërthamore.

Trump tha se marrëveshja bërthamore e nënshkruar më 2015, ka bërë që Irani të ndjehet “i paprekshëm” dhe se mbështetja e Teheranit ndaj grupeve të dhunshme në Lindjen e Mesme ka krijuar një hapësirë që Izraeli të lëvizë drejt vendeve të Gjirit Persik, madje edhe me ato vende që Izraeli nuk ka marrëdhënie diplomatike.

Ne nuk ju dhamë atyre një litar shpëtimi, u dhamë atyre pasuri dhe prosperitet dhe aftësinë për të vazhduar me terrorin”, u tha Trump gazetarëve.


Gjatë udhëtimeve të mija, kam parë shumë shenja shpresdhënëse që më bëjnë të besoj se ne mund të krijojmë një të ardhme më paqësore për këtë rajon dhe për njerëzit e të gjitha besimeve, dhe sinqerisht në gjithë botën”, tha Trump.

Të martën Trump do të takojë presidentin e Autoritetet Palestinez, Mahmud Abbas, me shpresën se do të sjellë një vrull të ri në bisedimet për paqe, të cilat kanë ngecur qysh në vitin 2014.

Trump ka nisur sot vizitën dyditëshe në Izrael dhe në komentet e para tha se është një “mundësi e rrallë” për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme.

Duke folur në aeroportin e Tel Avivit, Trump tha se dëshiron “të riafrimojë lidhjen e palëkundshme” midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

“Duhet të punojmë bashkë për të ndërtuar një të ardhme, në të cilën vendet e rajonit jetojnë në paqe”, tha Trump.

“Përpara nesh kemi një mundësi të rrallë për t’i sjellë siguri, qëndrueshmëri dhe paqe këtij rajoni dhe popullit të tij, duke luftuar terrorizmin dhe duke krijuar harmoni dhe prosperitet. Këto mund t’i arrijmë vetëm duke punuar së bashku”, shtoi Trump.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.
Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, falënderoi Trumpin për, siç tha, “shprehje të fuqishme të mbështetjes për Izraelin”.

“Jam i bindur se nën udhëheqjen tuaj, aleanca midis Izraelit dhe SHBA-së do të bëhet edhe më e madhe, edhe më e fuqishme”, tha Netanyahu.

“Paqja që ne kërkojmë është e vërtetë dhe e qëndrueshme – shteti hebre njihet, siguria mbetet në duart e Izraelit dhe konflikti përfundon njëherë e përgjithmonë”, shtoi Netanhyahu.

Trump do të bisedojë sot me Netanyahun, ndërsa të martën do të takojë presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, me shpresën se do të sjellë një vrull të ri në bisedimet për paqe, të cilat kanë ngecur qysh në vitin 2014.

Megjithatë, ndihmësit e Trumpit kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë përparimi të madh, duke thënë se vizita duhet të shihet më shumë si gjest simbolik.

Në një intervistë për gazetën izraelite Hayom, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, David Friedman, tha se qëllim i Trumpit tani për tani është “të nisë një diskutim, me shpresën se do të çojë në paqe”.

Përpara arritjes së Trumpit, Izraeli miratoi disa lëshime ekonomike për palestinezët, të cilat i ka kërkuar presidenti amerikan.

Këto koncesione përfshijnë leje ndërtimi për palestinezët në pjesët e Bregut Perëndimor që janë nën kontrollin e Izraelit.

Sipas mediave izraelite, koncesionet përfshijnë edhe mbajtjen hapur të një kufiri midis Bregut Perëndimor dhe Jordanisë, 24 orë në ditë.

Izraeli, për kohë të gjatë, është aleat i patundur i Amerikës, por Trump, me gjasë, do të ketë bisedime të vështira.

Atij mund t’i kërkohen shpjegime pas raporteve të mediave se ka zbuluar informacione të klasifikuara për grupin militant Shteti Islamik, të cilat i ka siguruar inteligjenca izraelite.

Izraeli po ashtu ka shprehur shqetësim për një marrëveshje për shitje armësh me Arabinë Saudite, të cilën Trump e ka shpallur gjatë qëndrimit në Riad, më 20 maj.

Trump po ashtu është tërhequr nga zotimi që ka bërë gjatë fushatës presidenciale, për të zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të ndjeshme në konfliktin izraelito-paleztinez.

Palestinezët e konsiderojnë Jerusalemin si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Izraeli ka marrë Jerusalemin Lindor nga Jordania gjatë Luftës Gjashtëditëshe më 1967, e ka aneksuar atë dhe e ka shpallur gjthë qytetin si kryeqytet të tij, por ky veprim nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Trump është në udhëtimin e parë jashtë vendit qëkur është zgjedhur president i SHBA-së. Gjatë kësaj jave, ai do të ndalojë edhe në Bruksel, Vatikan dhe Sicili.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG