Ndërlidhjet

Maqedoni: Sundimi i ligjit, faktor kyç për zhvillimin ekonomik


Pamje nga Shkupi

Sundimi i shtetit ligjor, luftimi i korrupsioni dhe krimit të organizuar, heqja dorë nga masat populiste dhe ndryshimet ligjore në sferën e investimeve, por edhe tatimeve, janë disa nga masat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e re për ndryshuar gjendjen e rëndë ekonomike. Kështu vlerësojnë ekspertët e ekonomisë duke komentuar pritjet nga Qeveria e re e social-demokratit Zoran Zaev, që edhe zyrtarisht pritet të votohet në Kuvend, javën e ardhshme.

Një pikë është kryesore, sundimi i ligjit. Duhet që njëherë e përgjithmonë ligjet të cilat miratohen, dhe si pasojë e tyre mundet të jetë i prekur komuniteti i biznesit, mendoj se duhet të ketë një proces të rishikimit të tyre, apo edhe ndoshta të gjetjes së modeleve më të mira në mbështetje të komunitetit të biznesit”, thotë Fatmir Bytyçi, njohës i çështjeve ekonomike.

Ai e vlerëson si shumë me rëndësi edhe ndryshimin e strategjisë në sferën e investimeve. Ndërkaq, konsideron se përparësi, apo qasje të barabartë në investime, duhet të kenë edhe bizneset vendore ngjashëm sikur edhe ato të jashtme. Sipas tij, gjatë periudhës së kaluar ka pasur raste kur një biznes i jashtëm ka qenë shumë i favorizuar se një kompani vendore edhe pse kjo ka pasur shtrirje më të gjerë si në punësime, ashtu edhe në prodhimet që ka ofruar. Veç kësaj, si masë me rëndësi ai e vlerëson edhe ndarjen e shtetit nga biznesi.

“Momenti i tretë dhe që mendoj se është vital për ekonominë e vendit, është që përfundimisht ne duhet ta ndajmë shtetin prej biznesit. Në fakt, zhvillimi ekonomik duhet t’i lihet komunitetit të biznesit dhe jo shtetit, që ai ta shtyjë para ekonominë dhe të diktojë trendët e zhvillimit ekonomik”, konsideron Bytyçi.

Ekspertët thonë se kriza politike si asnjëherë më parë ka goditur ekonominë vendore, andaj edhe tërheqin vërejtjen për nevojën e masave urgjente për kthimin e stabilitetit ekonomik e financiar.

“Kriza politike, në të cilën është përfshirë Maqedonia pas zgjedhjeve, ka ndikuar jashtëzakonisht në klimën e biznesit. Kemi shumë pak investime, madje më pak se në periudhën e para dhjetë viteve. Shumë kompani kanë falimentuar, ndërsa shumë të tjera po përballen me mungesë të kushteve më elementare".

"Kjo shtron nevojën e masave urgjente, krijimin e një ambienti të besueshëm ku do të sundojë para së gjitha shteti ligjor, pa procedura burokratike, pa korrupsion. Të gjitha këto në favor të tërheqjes së investimeve dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Pra, qeveria e re duhet të kthejë besimin e humbur, të kthejë stabilitetin aq shumë të nevojshëm për një zhvillim të mirë ekonomik”, thotë afaristi Mirçe Çekrexhi, ish-përfaqësues i Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Analisti ekonomik, Branimir Jovanoviq, konsideron se Qeveria e re duhet të udhëheqë një politikë ekonomike krejt të ndryshme nga ajo e qeverisë në largim.

Ai thotë se pushteti i deritashëm ishte orientuar në politika pro-biznesit, me shenja dalluese “Të bërit biznes” me tatime të ulëta, mungesë të investimeve nga ana e shtetit në shërbime dhe të mira tjera, në shkurtimin e të drejtave të punëtorëve e kështu me radhë. Këto politika, sipas tij, kanë çuar në rritjen e varfërisë, në dallime të mëdha sociale, shëndetësi jo të mirë, arsim jocilësor dhe rritje të numrit të vdekjeve në punë.

“Vlerësoj se Qeveria e re duhet të bëjë një politikë krejt të kundërt nga kjo e tanishmja. Duhet të aplikojë tatime të drejta, më të ulëta për shtresat e varfra dhe më të larta për ato më të pasura. Duhet t’i rrisë të drejtat e punëtorëve, t’i rrisë ndihmat sociale, t’i rrisë fondet për shëndetësi, arsim e sfera tjera ku kemi ngecje e kthim pas në reforma dhe në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik”, thotë Jovanoviq.

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, por që u referohen të dhënave për vitin 2015, rreth 22 për qind e banorëve të Maqedonisë, apo çdo i pesti prej tyre jeton në pragun e varfërisë.

Papunësia deri në fund të vitit 2016 ka arritur në 23.7 për qind apo rreth 225 mijë të papunë. Borxhi i publik i vendit sillet në rreth pesë miliardë euro apo në 46 për qind të Prodhimit Bruto Vendor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG