Ndërlidhjet

Britania mban zgjedhjet e përgjithshme


May dhe Corbyn votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Britani
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:28 0:00

May dhe Corbyn votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Britani

Në Britani mbahen sot zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të përcaktojnë se kush do t’i udhëheqë negociatat për daljen e këtij vendi nga Bashkimi Evropian.

Britania ka vendosur të largohet nga blloku në një referendum, të mbajtur vitin e kaluar.

Analistët politikë thonë se zgjedhjet mund të kenë ndikim edhe në vendimin e Skocisë, për të mbajtur ose jo referendum të ri për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar.

Votuesit – rreth 46.9 milionë të regjistruar – do të zgjedhin 650 deputetë.

Partia Konservatore e kryeministres Theresa May pritet të zgjerojë shumicën në Parlamentin britanik, por jo sa ka shpresuar.

Sondazhet më 4 qershor e kanë nxjerrë atë në epërsi me rreth 43 përqind të votave, përballë Laburistëve me 36 deri në 37 përqind.

Theresa May ka thënë se i duhet të rrisë fuqinë e Partisë Konservatore, me qëllim që të forcojë pozicionin e saj në negociatat për Brexit.

Këto negociata do të ndikojnë punësimin në Britani, pagat, çmimet e banesave, normat e interesit, migrimin, nivelin e tregtisë, mbrojtjen dhe sigurinë, financat publike dhe shërbimet pubike.

May ka thënë se opozita do që të pengojë vullnetin e popullit britanik për dalje nga BE-ja.

Laburistët opozitarë, me në krye Jeremy Corbyn, ndonëse me ton më të butë ndaj BE-së, kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga procesi i Brexit-it nëse i fitojnë zgjedhjet e 8 qershorit.

Dy partitë tjera kryesore në këto zgjedhje – Partia Kombëtare Skoceze e udhëhequr nga Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, dhe Partia Liberal-Demokrate e udhëheqr nga Tim Farron, i kundërshtojnë planet për dalje nga BE-ja dhe nga tregu i përbashkët evropian.

Por, sondazhet e opinionit në fillim të qershorit kanë treguar se ato nuk do të marrin më shumë se 10 përqind të votave.

Analistët, megjithatë, parashohin se mbështetja më e fuqishme për Partinë Kombëtare Skoceze mund t’i rrisë shanset që Skocia të mbajë referendum për pavarësi.

Një referendum i tillë në Skoci është mbajtur në vitin 2014, por atëbotë 55 përqind e votuesve kanë vendosur të mbeten pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, duke u thirrur në nevojën e të qenët pjesë e BE-së.

Zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit janë thirrur nga kryeministrja May në fillim të prillit – tre vjet përpara se të skadojë mandati i deputetëve.

Një tjetër çështje që ka dominuar fushatën zgjedhore, ka qenë siguria kombëtare.

Britania është goditur nga tre sulme terroriste në muajt e kaluar.

Më i fundit ka ndodhur më 3 qershor në Londër, ku militantët islamikë kanë vrarë shtatë persona dhe kanë plagosur 48 të tjerë.

Theresa May shihet si lidere më e besueshme në luftën kundër terrorizmit, pasi, në të njëjtën kohë, dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me aleatët e NATO-s.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG