Ndërlidhjet

Kurti fton LDK-në, AKR-në dhe Alternativën ta formojnë Qeverinë e re


Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga LVV
Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga LVV

I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti i ka ftuar partitë politike që t’i fillojnë bisedimet me Vetëvendosjen, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se vota e 11 qershorit ka treguar se qytetarët duan ndryshime, duke “ia ka mohuar” koalicionit fitues të zgjedhjeve të drejtën që ta formojë Qeverinë e re.

Afishet e Lëvizjes Vetëvendosje
Afishet e Lëvizjes Vetëvendosje

Vetëvendosje ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit si subjekti i dytë pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.

Por, Albin Kurti ka thënë se Vetëvendosja, si partia sipas tij më e votuar, tashmë është e gatshme të marë nën drejtim Qeverinë e re.

"Ata janë tkurrur shumë përkundër investimeve të jashtëzakonshme. Tash u pa se pse janë bërë koalicionet. Koalicionet janë bërë për të shpëtuar politikanë të veçantë, mirëpo nuk po i shpëtojnë dot as koalicionet. Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje. Populli e do një Qeveri tonën", tha Kurti.

​Sipas tij, Qeveria e re duhet të jetë Qeveri e ndryshimeve. Ai ka ftuar sidomos Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën që të ulen dhe bisedojnë me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë së re.

Po ashtu, Kurti ka thënë se një subjekt tjetër që mund t’i bashkohet këtij koalicioni është edhe partia Nisma për Kosovën, pakicat, si dhe deputetët veç e veç.

"Ne ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK, AKR, Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK, AAK dhe NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit ‘pronto’ që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën e re politike në vend pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një Qeverie të re, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje", tha Kurti.

Kurti e ka përjashtuar mundësinë që Vetëvendosje të heq dorë nga posti i kryeministrit, duke thënë se ndryshimet nuk mund të bëhen me emra e figura të kaluara politike.

Kurti: Më 12 qershor do ta festojmë fitoren
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:03 0:00

Sidoqoftë, mbetet çështje diskutabile mundësia Kushtetuese që Vetëvendosjes, si subjekti i dytë i dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, të mund ta formojë Qeverinë e re.

Lexoni edhe këtë: Koalicionet parazgjedhore mund të shthuren pas 11 qershorit

Sipas interpretimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 2014, rastin e parë për formimin e Qeverisë e fiton koalicioni apo partia politike që i fiton zgjedhjet. Kurse në rastin e dytë, shumëçka ka mbetur e pasqaruar.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë.

Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

XS
SM
MD
LG