Ndërlidhjet

Shkatërrimi i xhamisë antike “flet për humbjen e IS-it”


Mosul

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, tha se shkatërrimi i xhamisë antike në qytetin e Mosulit flet për humbjen e grupit militant Shteti Islamik.

Ministria e Mbrojtjes e Irakut tha se militantët kanë hedhur në erë xhaminë Grand Al-Nuri dhe minaren e saj të veçantë.

Xhamia është ndërtuar në vitin 1172. Minarja e saj është njohur si Al-Hadba, ose “gungë”, pasi ka anuar kah njëra ana, si Kulla e Pizës në Itali.

Udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, është shfaqur në xhaminë Grand al-Nuri në korrik të vitit 2014, për të shpallur formimin e “kalifatit islamik”.

Shteti Islamik, përmes ueb-faqes së tij Amaq, tha se xhamia është shkatërruar nga një sulm ajror i Shteteve të Bashkuara, por SHBA e mohoi.

“Mbrëmjen e kaluar, ata hodhën në erë xhaminë, ku al-Baghdadi shpalli kalifatin e tij”, tha i dërguari i SHBA-së në koalicionin që lufton militantët e Shtetit Islamik në Mosul, Brett McGurk.

Komandanti i forcave amerikane në Irak, Joseph Martin, tha se Shteti Islamik ka shkatërruar “një prej thesareve më të mëdha të Mosulit dhe Irakut”.

Shteti Islamik ka marrë kontrollin e Mosulit, qytetit të dytë më të madh të Irkaut, në vitin 2014.

Forcat qeveritare të Irakut, luftëtarët kurdë Peshmerga, fiset arabe sunite dhe milicitë shiite, të mbështetura nga sulmet e koalicionit që udhëheq SHBA-ja, kanë nisur ofensivën për rikthimin e tij qysh në tetor të vitit 2016.

XS
SM
MD
LG