Ndërlidhjet

Trump i ka sulmuar hetimet për përzierje të Rusisë në zgjedhje


Donald Trump
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka sulmuar hetimet e Kongresit dhe agjencisë FBI për përzierjen ruse në fushatën zgjedhore të vitit të kaluar, duke i cilësuar akuzat si mashtrim.

Këto komente ai i ka bërë në disa postime të sotme në rrjetin Twitter, një ditë pasi sekretari i sigurisë së brendshme, Jeh Johnson, dëshmoi para një komiteti të Dhomës Përfaqësuese për përzierjen ruse.

Trump ka pretenduar se Johnson ishte “zyrtari i fundit i lartë i inteligjencës që thotë se nuk ka skemë të madhe ndërmjet Trumpit dhe Rusisë”.

Zoti Johnson tha se nuk ka parë kurrfarë dëshmie për marrëveshje të fshehtë ndërmjet ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë, përtej asaj që komuniteti i inteligjencës ka deklaruart publikisht.

Donald Trump, po ashtu, e ka fajësuar ish-presidentin, Barack Obama, se nuk është përgjegjur më fuqishëm ndaj ndërhyrjes ruse.

“Nëse Rusia kishte punuar aq fuqishëm në zgjedhjet e vitit 2016, e gjithë kjo ka ndodhur gjatë administratës Obama. Përse nuk i ka ndalur ata”, ka shkruar Trump.

Komuniteti i Inteligjencës i Shteteve të Bashkuara në muajin janar të këtij viti, e ka publikuar dokumentin i cili ka vlerësuar se Moska ishte angazhuar në sulme kibernetike dhe fushatë të keqinformimit, në përpjekje për të ndikuar në votimet e vitit 2016.

Për këtë çështje aktualisht hetime po zhvillojnë disa komitete të Kongresit amerikan, ndërsa agjencia FBI, zhvillon hetime për ndërlidhjet eventuale të ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë.

XS
SM
MD
LG