Ndërlidhjet

Merkel: Marrëveshja për Klimën është e pakthyeshme


Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Bashkimi Evropian "është më i vendosur se kurrë për ta shndërruar Marrëveshjen e Parisit për Klimën në një sukses".

Duke folur para Parlamentit gjerman, Merkel tha se BE qëndron pas angazhimeve që parasheh marrëveshja dhe se ajo "është e pakthyeshme dhe e panegociueshme".

Më 1 qershor, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të tërheqë SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, e nënshkruar në vitin 2015 nga 195 vende.

Marrëveshja është pakti i parë ligjor për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Me të, pothuajse çdo vend është pajtuar vullnetarisht të reduktojë emetimet e gazrave serë - akumulimi i të cilave besohet se ngroh planetin.

Trump ka thënë se kjo marrëveshje është në dëm të industrisë amerikane.

Merkel do të jetë nikoqire e samitit të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, muajin e ardhshëm në Hamburg, ku çështja klimatike pritet të jetë lart në agjendë.

XS
SM
MD
LG