Ndërlidhjet

KQZ shpall sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Kosovë


Qendra e Numërimit dhe Rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor.

Në bazë të rezultatit preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma ka fituar 34 përqind të votave, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 27 përqind, kurse në vendin e tretë është koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave.

Nga komunitetet pakicë, prin Lista Serbe, e cila ka fituar mbi 5 përqind të votave.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 800 mijë banorë, nga të cilët në zgjedhje dolën rreth 700 mijë votues.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 52 mijë është numri i fletëvotimeve të pavlefshme.

Nga votimet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit do të përcaktohet përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë.

Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh, emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

XS
SM
MD
LG