Një gjykatë në Shqipëri e ka dënuar me 10 vjet burg nipin e ish-diktatorit, Enver Hoxha, lidhur me akuza për kontrabandim të drogës, thuhet në kumtesën e sotme.
I dënuari Ermal Hoxha është anëtar i një grupi prej nëntë personash, përfshirë edhe dy kolumbias, që dje janë dënuar me burg prej 10 e deri në 13 vjet, ka njoftuar gjykata.
Ata janë gjetur fajtorë se i takojnë “grupit kriminal i involvuar në trafikimin e kokainës nga Kuba nëpërmjet Shqipërisë për në vendet e pjesës perëndimore të Evropës”.
Ermal Hoxha, 42 vjeçar, dhe bashkëpunëtorët e tij të dyshuar, ishin arrestuar në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni që ka çuar në konfiskimin e 120 kilogramëve të kokainës.
Në atë kohë policia e kishte zbuluar një laborator të përpunimit të drogës në Xibrakë, 68 kilometra në jug të Tiranës, raporton agjencia AFP.
Enver Hoxha sundoi në Shqipëri prej vitit 1944 e deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Ai e izoloi Shqipërinë dhe imponoi regjim të rreptë diktatorial.
Në raportin e Departamentit amerikan të shtetit për vitin 2017, theksohet se Shqipëria “mbetet vend burim i rëndësishëm për marihuanë dhe rrugë tranzitore për kokainë dhe heroinë, e destinuar për tregjet evropiane”.